Shtimi i lokaleve të natës ka shtuar edhe aksionet e policisë së kryeqytetit. Aksionet e shumta nga seksioni për narkotiket në Drejtorinë e Tiranës, në vjeshtën e 2015 janë përqendruar pikërisht në këto lokale ku thuajse çdo jave paraqiten për kontrolluar me imtësi ambientet e tyre. Si rezultat, 8 pronarë të lokaleve të natës në kryeqytet janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës në më pak se dy muaj. Kjo pasi informacioneve të marra në rrugë operative, se në lokalet e natës konsumohej lëndë narkotike. Gjatë kontrollit në ambientet e brendshme apo edhe jashtë tyre, kanë konstatuar se prodhohej dhe konsumohej lëndë narkotike. Sipas policisë, vetë pronarët e këtyre lokaleve u krijonin kushte klientëve të konsumonin lëndë narkotike. Seksioni për narkotiket ka mundur të sigurojë jo në pak raste pjata me ngjyrë blu të nxira me blozë nga poshtë ku në sipërfaqe ka mbetje të lëndës narkotike e dyshuar kokainë. Edhe numri i të shoqëruarve ka qenë i lartë në këto dy muaj. Rreth 100 persona janë shoqëruar vetëm në tetor, bëjnë me dije burimet nga Policia e Tiranës. Klubet e natës tallava apo muzika live sipas policisë janë vendet ku konsumohet me tepër heroina dhe kokaina. Ndaj edhe përqendrimi policor ka qenë i lartë në këto vende dhe aksionet do të vijojnë edhe në ditët në vijim.