Eksportet arritën në 185.7 miliardë lekë për 9-mujorin e këtij viti, duke shënuar rënie me 3.7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të publikuara sot nga INSTAT.
Performanca e dobët e “minerale, lëndë djegëse, energji” vijon të jetë faktori kryesor që ndikon në këtë prirje rënëse të eksporteve, ndërsa tekstilet e këpucët po rriten ndonëse me ritme shumë më të ngadalta se një vit më parë.
Grupet e tjera janë në përmirësim, të ndjeshëm, sidomos “pijet, ushqimet e duhani” dhe “makineri e pajisje”, por pesha e tyre e vogël, në raport me totalin, bën që ato të mos kenë ndikimin në trendin e përgjithshëm të eksporteve.
Eksportet e “minerale, lëndë djegëse, energji” ranë me 22%, në 52.3 miliardë lekë, duke ngadalësuar ritmet e rënies në raport me gushtin (në gusht, kompania Bankers Petroelum shtyu nisjen e një anijeje, çka ndikoi në rënien e fortë të eksporteve atë muaj).
Në muajin shtator 2015 eksportet e mallrave arritën vlerën 20 miliardë lekë, duke u ulur me 4,4 % në krahasim me shtatorin e një viti më parë. Ndërkohë, importet e mallrave në muajin shtator 2015 arritën vlerën 44 miliardë lekë, duke u ulur me 7,4 % në krahasim me shtatorin 2014 dhe duke u rritur me 9,4 % në krahasim me gushtin 2015.