Tërhiqet qeveria / Prangat jo më alternativë e parë për mos dhënien e kuponit tatimor, në fillim gjobë e pastaj burgu

0
153

 

“Hetimi i Prokurorisë do të përcaktojë se kush do të cilësohet përgjegjës për shkeljen e ligjit lidhur me kuponin”

LigjetGëzim Saliu

Pas kundërshtive jo vetëm të opozitës por edhe të disa deputetëve të mazhorancës PS-LSI, qeveria ka ndryshuar propozimin e saj për ndryshimet në Kodin Penale i përket atyre që nuk lëshojnë kupon të tatimor. Megjithëse të majtët nuk u tërhoqën nga vendimi për ta trajtuar si vepër penale “moslëshimin e kuponit tatimor”, u tërhoqën nga propozimi i parë për të dënuar menjëherë me 3 vite burg këtë vepër. Sipas propozimit të ri, burgu nuk do jetë alternativa e parë për mos dhënien e kuponit, por mundësia e dytë, pasi më parë vepra do të ndëshkohet me gjobë sipas ligjit tatimor. “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore , moslëshimi i kuponit tatimor, dëftesës ose faturës tatimore , nga personi i cili ka detyrimin të lëshojë kuponin tatimor në momentin e transaksionit , kur më parë është dhënë  masë administrative , përbën vepër penale dhe dënohet deri në tre vjet burgim” , ndryshohet neni 13.  Ndërkohë edhe një tjetër pikë e cila hasi kritikat e deputetëve të mazhorancës lidhur me përgjegjësin e shkeljes së ligjit në rastin e kuponit tatimore, u vendos me votat e të majtëve që do të jetë hetimi i Prokurorisë që do të përcaktojë se kush do të cilësohet përgjegjës për shkelje. Nga ana e saj PD votoi kundër duke e cilësuar ndryshimet e ligjit si masa që duan të trembin biznesin duke rritur arbitraritetin.

Debati

Sipas demokratit Oerd Bylykbashi ligji e lë të paqartë se kush ndëshkohet penalisht, pronari i biznesit apo shitësi që nuk lëshon kupon. “Pyetja është shumë e thjeshtë, burg do të bëjë? Është fshehje të ardhurash edhe ai që nuk dorëzon kuponin tatimor për një byrek zonja ministre? Mbasi ka marrë një gjobë 5 milionë lekë të vjetra për kuponin e parë që nuk lëshoi, burg do të bëjë për të dytin ai? 3 qind lekë të vjetra kushton”, u shpreh ligjvënësi i djathtë. Në të njejtën linjë, deputeti tjetër demokrat Eduard Halimi kërkoi në Komision që  mosdhënia e kuponit të mbetet kundravajtje. “Moslëshimi i kuponit tatimor nuk mund të përbëjë krim, sepse nuk përbën krim në asnjë vend të Bashkimit Evropian edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ai. Por në këtë pikë qeveria nuk la vend për ndryshime duke theksuar se nuk do të përkrahë informalitetin. “Qeveria po i thotë jo informalitetit dhe nëse opozita ka vendosur që të mbrojë informalitetin le ta bëjë sot këtë dhe gjithë ditën. Ne nuk kemi ndërmend të tërhiqemi nga kjo histori sepse informalizëm është bërë ekonomia dhe çdo gjë tjetër në këtë vend, kemi arritur në këtë pikë,  pikërisht për këtë shqiptarët janë të varfër”- tha ministrja. Ndërkaq ndryshimi i propozimit të qeverisë lidhur me masën e burgut dhe lënien e përgjegjësisë prokurorisë për përgjegjësin e shkeljes së kuponit erdhi pas kritikave nga vetë mazhoranca. Në mbledhjen e dy ditëve më parë në Komisionin e Ligjeve, deputeti socialist Pandeli Majko dhe ai i LSI-së Petrit Vasili theksuan se neni 13 i Kodit Penal i ndryshuar, ishte i paqartë në pikën se kush do të mbante përgjegjësi, administratori apo punonjësi.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here