Dje Kryeministri dhe presidenti i FSHF-së bashkë me arkitektin italian kanë inspektuar fillimin e punimeve larg syrit të mediave
Pas mbërritjes së kombëtares në Shqipëri me biletën e Euro 2016-ës në xhep, Kryeministri Edi Rama premtoi nisjen e punimeve për ndërtimin e “Arenës Kombëtare” në Tiranë. Deklarata e shefit të qeverisë në pritjen që i bëri skuadrës kuqezi pasohet nga hapat e radhës për të vënë në jetë projektin që do ta rikthejë kombëtaren në kryeqytet dhe do t’i dhurojë Tiranës një kompleks sportiv modern. Gjatë ditës së diel, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe arkitektë italianë që do të udhëheqin projektin, janë takuar në ambientet e stadiumit “Qemal Stafa” për të diskutuar rreth nisjes së punimeve. Takimi është zhvilluar larg syve të medias dhe, sipas informacioneve, bizneseve që po zhvillojnë aktivitetin në hapësirat e stadiumit aktual u është kërkuar që të largohen nga ambientet aktuale deri në muajin dhjetor, pasi prishja e “Qemal Stafës” do të nisë gjatë ditëve të para të vitit 2016. Stadiumi i ri do të ndërtohet sipas projektit të prezantuar nga konsorciumi italian “Serenissima”. “Arena Kombëtare” do të ketë një kapacitet prej 22 mijë vendesh dhe të gjitha tribunat parashikohet që të jenë të mbuluara. Përveç stadiumit, në hapësirën 36 mijë metra katrorë është parashikuar të ndërtohet edhe një qendër biznesi si dhe ambjente për shërbime të tjera. Projekti do të investohet nga qeveria shqiptare dhe Federata Shqiptare e Futbollit dhe sipas parashikimeve, puna për ndërtimin mund të përfundojë në vitin 2018.
Miqësore vetëm me Kosovën në nëntor
Miqësorja me Kosovën, me sa duket, do të jetë e vetmja për kombëtaren shqiptare në muajin nëntor. Pushimi i detyruar në mesin e muajit do të grumbullojë sërish të besuarit e De Biasit që edhe pse me një biletë në Euro 2016 nuk kanë arritur të sigurojnë një sfidë tjetër. Bisedimet me Federatën Finlandeze janë bllokuar dhe sipas të gjitha gjasave, kombëtarja shqiptare do të luajë vetëm një 90-minutësh testues edhe pse ka në dispozicion 5 ditë. Sfida mes të besuarve të De Biasit dhe atyre të Bunjakit do të luhet në datën 17 nëntor në Prishtinë. Kërkesa nga Federata e Futbollit të Kosovës u bë menjëherë pas triumfit në Armeni. Fillimisht u përfolën edhe përballje miqësore me Poloninë dhe Kroacinë, ndërsa Finlanda nuk ka preferuar të udhëtojë drejt Shqipërisë, duke bërë që bisedimet të shkojnë drejt bllokimit. Në miqësoren e Prishtinës, risitë e mëdha të kombëtares kuqezi do të jenë të shumta, mes të cilëve Milot Rashica dhe Rey Manaj, të cilët luajnë përkatësisht me Vitessen dhe Interin.
Box
Sion shfaq interes për Gashin
Situata e Shkëlzen Gashit tek Baseli nuk është shumë e mirë pasi trajneri Fischer pak po e aktivizon sulmuesin kuqezi e kjo ka zgjuar interesin e klubeve të tjera për shërbimet e tij. “Fussballinfos.ch” shkruan se ka zëra për një kalim të Gashit tek klubi i Sionit pasi presidenti Kristian Konstantin është interesuar për golashënuesin e dy sezoneve të fundit në Superligën Zvicerane. Gjithçka në lidhje me këtë tratativë mbetet në nivelin e zërave, por mundësitë që Gashi të lëvizë nga Bazeli janë të mëdha duke parë mënyrën se si po trajtohet tek Baseli. Sion njihet si skuadër e pasur në Zvicër dhe është e gatshme t’i ofrojë pagë të njëjtë Gashit për ta zgjedhur atë. Në rast transferimit në Sion, Gashi do të ketë mundësi të aktivizohet edhe në Ligën e Evropës me klubin zviceran.