Lorik Cana u përball këtë të diel me Olimpikun e Marsejës në kuadër të javës së 12 të Ligës së Parë franceze. Nanta, ku luan mbrojtësi kuqezi, nuk arriti ta shmangte humbjen para tifozëve të saj, edhe pse sipas Canës, zhvilloi një ndeshje të mirë. Para se të niste sfida, emri i kapitenit të kombëtares u thirr në kor nga fansat e Marsejës, në shenjë mirënjohjeje për kontributin që ka dhënë në “Velodrome”, por kjo nuk i ka pëlqyer një tifozi të Nantës, i cili lëshoi ofendime ndaj 32-vjeçarit. Reagimi i Canës ishte shumë i ashpër, madje u desh ndërhyrja e futbollistit të Nantës, Yacine Bammou, për të mos lejuar degjenerimin e mëtejshëm të situatës. Në përfundim të takimit, i intervistuar nga mediat franceze, Cana gjeti rastin për të falënderuar tifozët e Marsejës për vlerësimin që i bënë figurës së tij. “Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie të veçantë me tifozët e Marsejës, pasi edhe unë jam një fans i kësaj skuadre. Gjithsesi në këto 90 minuta dhashë gjithçka për të fituar. Ky është Loriku që ata njohin. Ata u treguan fantastikë dhe për këtë dua t’i falënderoj. Tani duhet të ndjekim rrugën tonë dhe do të kërkojmë të fitojmë në ndeshjen pasardhëse”. Për sa i përket ndeshjes, Cana kujtoi se Nanta zhvilloi një lojë të mirë, por sërish vuajti në finalizimin e aksioneve. “Jemi të zhgënjyer për humbjen sepse zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë. U shfaqëm agresivë dhe patëm disa mundësi të mira për të shënuar, por dështuam në finalizimin e aksioneve. Edhe në pjesën e dytë tentuam të luanim në të njëjtën mënyrë, por nja gabim na kushtoi rëndë dhe më pas e kishim të vështira për të barazuar, sepse Olimpiku i Marsejës u mbrojt mirë deri në fund”.