Lumë vezësh në drejtim të Ministrisë së Arsimit

 

Studentët këmbëngulin për moskalimin e ligjit të ri për arsimin e lartë

veze

Një ditë pasi sulmuan Kryeministrin Edi Rama me vezë në momentin që po largohej nga ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale, një grup studentësh të Universitetit të Tiranës kanë qëlluar po me vezë edhe ndërtesën e Ministrisë së Arsimit. Ky reagim vjen nga studentët si qëndrim kundër reformës së arsimit të lartë të ndërmarrë nga qeveria dhe Ministria e Arsimit, pasi, sipas tyre, një reformë e tillë cenon autonominë e universiteteve publike dhe favorizon universitetet private në vend. Aksioni është bërë para Ministrisë së Arsimit, edhe pse në këtë ndërtesë prej muajsh nuk punon njeri për shkak të rikonstruksionit. Pas gjuajtjes së vezëve kanë mbërritur efektivë të policisë, por ndryshe nga një ditë më parë, asnjë prej studentëve nuk është shoqëruar në komisariat. Ndërkohë, studentët kanë përsëritur se për shkak të tarifave të larta nuk mund të paguajë masterin, duke deklaruar se lëvizja e tyre do të zgjerohet për të penguar me çdo mënyrë zbatimin e kësaj reforme. Pavarësisht këmbënguljes nga ana e studentëve për të biseduar me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, me qëllim diskutimin dhe marrjen parasysh të propozimeve të studentëve dhe pedagogëve, të cilët preken direkt nga kjo reformë, deri tani nuk është zhvilluar asnjë takim i tillë. Prej më shumë se dy vitesh ky grup studentësh ka zhvilluar protesta të ndryshme kundër ligjit të ri për arsimin e lartë, për shkak se shumica e familjeve shqiptare nuk mund të dërgojnë fëmijët e tyre për vazhdimin e studimeve në universitetet publike, për shkak se ky ligj parashikon rritje tarifash.

 

 

 

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko