Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim Raportin Tremujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike, monetare e financiare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë uli me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit. Pas kësaj lëvizjeje, norma bazë e interesit zbret nga niveli 2.00% në nivelin 1.75%.
Norma bazë ka zbritur në këtë mënyrë në nivele minimale historike. Kjo është hera e 12 që ulet norma bazë, që nga shtatori i vitit 2011, kur institucioni monetar qendror filloi lehtësimin e politikës monetare.
Në deklaratat e mëparshme, Banka e Shqipërisë kishte paralajmëruar se do të vazhdonte me politikën lehtësuese monetare, në përpjekje për të nxitur ekonominë.
Kjo lëvizje e bankës vjen në një kohë që në shtator, kredia për ekonominë shënoi rënie të fortë, me huanë e re në euro që ishte në nivelin më të ulët të 10 viteve dhe atë në lekë në nivelin më të ulët në tre vite. Rënie ka shënuar dhe stoku i huasë, që zbriti me 1.8% me bazë vjetore në 546 miliardë lekë.
Në raport me një muaj më parë, rënia e stokut ishte 0.7%, kryesisht si rrjedhojë e tkurrjes së kredisë në valutë. Në raport me një muaj më parë, rënia e stokut ishte 0.7%, kryesisht si rrjedhojë e tkurrjes së kredisë në valutë.
Banka e Shqipërisë ka identifikuar si faktorin kryesor për rënien e kredisë mungesën e kërkesës dhe projekteve të mira nga biznesi, ndërkohë që niveli i huave me probleme është mbi 20%. Në një tregues të shtimit të rrezikut që perceptojnë bankat tregtare, diferenca e interesave mes kredive dhe depozitave e bonove të thesarit është zgjeruar gjatë muajit shtator. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar për të gjitha kreditë e reja në shtator u rrit në 8.18%, nga 7.73% muajin e mëparshëm. Në një lëvizje të kundërt, yield-i mesatar njëvjeçar i bonove të thesarit ka shënuar një rënie të lehtë gjatë muajit shtator, në 3.21%, nga 3.22% në shtator. Kjo rritje e diferencës mes interesit të kredive dhe atyre të bonove të thesarit (të dyja alternativ të investimit të parave të bankave) nga 4.38% në gusht në 5.29% në shtator, është një indikator i rritjes së riskut të perceptuar nga sistemi bankar për kreditimin e ekonomisë.
Si rrjedhojë një lehtësim i mëtejshëm i politikës monetare, synimi i të cilës është të ulë koston e parasë dhe të nxisë investimet në ekonomi, mund të mos jetë sërish efektiv, për sa kohë që kërkesa për hua është e ulët. Aksioni antiinformalitet nga ana tjetër, i shoqëruar me ndryshime ligjore që parashikojnë nivele ndëshkimi shumë të larta dhe diskutimet për ndryshimet në Kod për ndjekje penale për evazorët kanë krijuar një psikozë frike tek biznesi, që po reflektohet qartazi në frenimin e investimeve dhe si rrjedhojë dhe kërkesës për hua.
—