Në kuvend është rikthyer sërish debati për ccështjen CEZ, ku ish-kryeministri ka shprehur akuza ndaj ministrit Gjiknuri për favorizimin e DIA-s prej tij. “Ju leverdiste ta mbanit DIA-n pasi e kuptuat që ajo ishte minierë floriri”, tha Berisha. Ndërkohë ministri i Energjisë dhe Industrisë akuzoi ish-kryeministrin si përgjegjësin kryesor të ccështjes. “Me mënyrën si e privatizove, i shkaktove 200 milionë dollarë dëm shtetit. Rrite dhe borxhin e keq 16.85% dhe me këtë vendim i shkaktove 140 milionë euro dëm. Ke vendosur të ulësh çmimin e KESH-it”, pohoi Gjiknuri. Pas kësaj deklarate, Berisha tha se ministri nuk di se çfarë flet: “Ti po akuzon veten. Pranoje dhe kërko gjykim të shkurtuar”. Më parë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë fjalës në foltoren e Kuvendit, iu drejtua opozitës duke thënë se “të gjithë treguesit flasin qartë sesi lufta kundër kriminalitetit dhe informalitetit ka njohur suksese që ju nuk mund t’i imagjinoni”. “Në tetë vite keni ulur 2 herë pagat e policisë, ndërsa ne i rritëm me 25%. Ne rritëm buxhetin për policinë, duke investuar në infrastrukturë. Në dy vite shkatërruam 1.3 milionë rrënjë narkotike. Kjo është eficenca e asaj që kemi bërë ne dhe e shfrytëzimit të buxhetit. Të gjithë treguesit flasin qartë sesi lufta kundër kriminalitetit dhe informalitetit ka njohur suksese që ju nuk mund t’i imagjinoni”, deklaroi Tahiri.