Në kërkim të identitetit në arsim  

0
216

 

Nga Ndriçim Mehmeti

ndricim-mehmeti21-c1200x600

Më 19 mars 1932, në gazetën “Demokratia”, Branko Merxhani botonte një analizë shumë të hollësishme për arsimin. Në këtë analizë, ai kërkonte të tërhiqte vëmendjen se cili do të ishte sistemi ynë arsimor. Ku do të mbështetej ai? Çfarë duhej për të ndërtuar një sistem arsimor kombëtar, me sa më pak huazime dhe të mbështetur në truallin e arritjeve të arsimit, ndër vite? Ndërkaq, ne që jemi shteti 103-vjeçar, endemi sot e gjithë dita në dilemën se cili është modeli më i mirë që do të duhet të ndjekim.

A kemi ne sot një politikë të qartë arsimore?

Merxhani në pak fjalë ka sintetizuar atë që ndodhte atëherë dhe atë që ndodh sot pas 83 e kusur vjet. “Në një kohë që kërkohet caktimi i POLITIKËS ARSIMORE, është pavend e pakuptim të thotë njeriu se po kemi një të tillë politikë, duke paraqitur si argument disa ligja e disa rregullore, që kanë karakter burokratik”. E njëjta gjë ndodh edhe sot. Ka udhëzime të njëpasnjëshme, urdhra, rregullore, udhëzime, të pafundme, të pakuptueshme, në kundërshti me njëra-tjetrën dhe në asnjë rast të përputhshme me realitetin ku ndodhemi. Nuk ka deri më sot një përcaktim të qartë se ku do të shkoj arsimi. “Kemi ndërmarrë një reformë me mbështetje të fuqishme që zgjat 10 vjet. Do të ndjekim rrugën e vendeve më të përparuara. Jemi në drejtimin e duhur” etj., etj. Po cila është politika e sotme arsimore? Cili është dokumenti, një copë letër e shkruar, ku të jenë përcaktuar, ku jemi dhe ku do të shkojmë. Kur kanë kaluar më shumë se dy vjet qeverisje, kemi ende një draft-strategji të arsimit parauniversitar, por jo një dokument zyrtar. Kemi një raport paraprak për reformën e arsimit parauniversitar, reformë të lënë në mes për formimin profesional, në mes të rrugës është lënë mënyra e emërimit të mësuesve dhe drejtuesve të arsimit, asnjë shifër statistikë, se sa dhe si janë zëvendësuar mësuesit pa arsim përkatës. Më tutje, kemi një seri testimesh, që quhen politika të reja për arsimin. Testimi për mësuesit që janë në sistem, testim për ata që hyjnë në sistem. Pyetjet për këto testime, janë shumë interesante, prej ngjyrës së stemës së UNICEF e deri tek ngjyrat më të përshtatshme që duhet të përdori mësuesi i vizatimit, mbështetur në modelin e pikturës së kryeministrit. Emërimet në drejtim të arsimit, janë një tjetër politikë e trumbetuar si një sukses. Hiqen njerëzit që kanë 18 vite e sipër në arsim dhe vendin e tyre e zënë të dënuar, shitës syzesh, shpërndarës të ndihmës sociale, gardiane burgjesh e me radhë. Natyrisht që sistemi nuk ka nevojë për mësues si Ramazan Fejzo, Rajmod Cani, Agim Duka, Xhevahir Kanani, Ylli Metalia e shumë të tjerë. Është shumë e thjeshtë, me profesionalizmin e tyre ata na prishin punë. Kështu që ose i sikterisim sa më larg të jetë e mundshëm, ose nuk i qasim më në arsim dhe të ngordhin rrugëve. Një politikë po kaq e suksesshme, është të mos merremi fare me infrastrukturën shkollore, me lagështinë, pamundësinë e fëmijëve për të blerë librat. Madje në kuadër të kësaj politike, i lutemi Klosit të na heq sa më shumë njerëz nga lista e mbështetjes sociale, në mënyrë që MAS, mos të ketë detyrime t’u shpërndaj libra. Po tekstet shkollore? E këtu kemi më shumë për të thënë. Këtu ka vërtet politikë të re, që quhet thjesht klienteliste. Librat i marrim nga Anglia, Finlanda, Portugalia, madje edhe nga Australia e largët. Mjafton që më parë modeli që do të përkthehet të dijet nga ata pak njerëz, që kemi rreth vetes. Sa më pak ta dinë, aq më shumë është fitimi. Si hienat turren mbi shtëpitë botuese, pjesëtarë të IZHA, ISHA, MAS, për të marrë nga një e më shumë tituj. Përkthimi nuk ka rëndësi, emri është tjetër, lekët futen në xhepin e zyrtarit, që ka vetëm një parullë si fjalë kalim: Jam punonjës i MAS-it. Padyshim që kjo është politikë e re. Nuk bëj shaka dhe jam konkret në atë që them. Nën shembullin e këshilltarit, inspektorë, përgjegjës e drejtor, kanë siguruar fitime të majme, së paku për tre vjet. Shumëkush mund të ngrihet e të thotë: Po pse për dy vjet kërkon një politikë të re arsimore. Këtë frikë ka pasur edhe Merxhani kur ka shkruar për politikën arsimore. “Do të ishte e çuditëshme, në mos qesharake të pranonte njeriu se brezi i sotmë do të mund t’u jepte vendit një plan krejt të plotë e të m,baruar të një politike arsimore. Ka kombe më të mëdha nga neve e më të larta në sheshin mendor, që kanë një shekull të tërë që po mundohen të derdhin idera dhe përpjekjet shkencore të zgjedhura dhe megjithë këtë sapo kanë nisur të krijojnë një politikë arsimore të tyren”.

Po çfarë bëmë ne pas 103 vitesh, për këtë model arsimor mbështetur mbi traditën tonë?

Ilaçin e gjejmë tek iniciativa e marrë prej ditës së parë të “Rilindjes” e të vazhduar deri më sot: Të hartojmë një politikë arsimore në përshtatje me Kosovën, tekstet shkollore të Anglisë, modelit të shkollës së mesme të Anglisë, sistemit dual të Gjermanisë në arsimin profesional. Më mirë se kaq nuk ka. Shteti 103 vjeçar shkon pas modelit arsimor ende në pilotim të shtetit më të ri në Evropë. Kjo nuk ka të bëjë as me lotët e shkaktuara nga “emocionet e forta” që përjetoi ministrja nga nënshkrimi i marrëveshjeve me Kosovën, as me fotot e dala në tryezat e kafeneve të Prishtinës me paketën “Slims” e me këmbët e shtruar sa gjerë e gjatë krerëve të ndritur të ministrisë, e as me faktin se ai është modeli më i mirë i arsimit në Evropë. Është bërë thjesht për të fituar ca lek më shumë me tekstet që do të shesim në Kosovë e me trajnimet që i ka për zemër këshilltari. Në pension njeriut i duhen lekë dhe i ngrati përpiqet të sigurojnë një depozitë për pleqëri sa më të qetë. Si fillim ndryshojmë sistemin si Kosova, po pastaj të tjerat i dimë vetë. Librat i marrim nga Anglia. Kush tha që nuk na përshtaten ne? Punë e madhe se njerëzit dinë më shumë për fokën në Antarktikë e Alaskë, sesa për lejlekun kaçurrel në Divjakë. Në Evropë nuk shkohet duke matur largësinë Kukës-Tiranë, Tiranë-Peshkopi, por duke ditur sesa orë zgjat udhëtimi Singapor-Dubai, Nju-Dehli-Angli. Pastaj nuk është se i vumë vulën modelit anglez. Punë e madhe, mësuesit në dorë i kemi e i themi: Boll punuat një vit me librat anglez. Tani ju gjejmë një model tjetër, ju trajnojmë ca ditë në verë dhe në vjeshtë jeni gati për të zbatuar modelin që duam ne dhe juve nuk ju pyesim. Natyrisht që mësuesit do ulin kokën, do të pëshpëritin, “na polli belaja” dhe me kaq do ta mbyllin. Do të ngrihet kush të flas një fjalë më tepër? Mazallah. Do të rrinë si pulat e lagura nga shiu, duke pritur që dikush të vejë dorën në zemër e të mos tallet kaq shumë. Nxënësit? Kush i ka pyetur, që t’i pyesin tani. Ata janë thjesht subjekti, me të cikët luhet drama e radhës. Si skenarist, regjisor dhe aktor kanë dy njerëz: Lindita Nikollën dhe Edi Ramën. Në role dytësore janë shumë: këshilltarë, sekretarë të përgjithshëm, shefa kabinete, drejtor e drejtoresha, që hareshëm tundin skenën, pa e ditur as vetë se në ç’llum janë zhytur. Dikush ka nge e pyet për kontratë kolektive, shërbim psikologjik, punonjës social e mësues ndihmës. Dale bre zotëri, thotë këshilltari-mendimtar, këto punë më takojnë mua dhe shoqatës që kam. Si mund të flasin të gjithë për këto gjëra e të më heqin riskun që më takon? Po për tableta, shkollat komunitare, shkollat nën patronazhin e ministrave, fëmijët e shkolluar në spital? Për të gjitha kemi kohë. Ohu, nuk ka mbaruar 4-vjeçari jonë. Për një gjë jemi në merak shumë të madh. Modeli ynë arsimor? Këtë nuk e di askush deri më sot dhe shumë pak kanë për ta ditë, bile edhe vetë ata që mburren se po ndërtojnë një të tillë. Që të jem krejt i sinqertë, modeli nuk është se zgjidh në mënyrë magjike problemet që kemi. Por duhet pranuar pa mëdyshje se ai, krijon mundësitë të ecim në një rrugë të mbarë, e të mos i futemi rrugicave qorre e pa dalje. Mungon modeli i thjeshtë: respekti për mësuesit, nxënësit dhe prindërit e tyre. Demagogjia, ka zënë vendin e punëve të përditshme, fasadat dhe zyrat e zbukuruara, mbulojnë paaftësinë, kriminalizmin e arsimit, degjenerimin në pikën më të lartë të pjesës më të vitale të shoqërisë, rinisë. Mësuesi përfundimisht është denigruar, në atë farë feje, saqë i është nënshtruar fatit të vendosur nga të tjerët. Ato pak para që vijnë për arsimin, shkojnë nuk dihet se ku. Në vitin 1922, Fishta i drejtohej parlamentit shqiptar me një analizë të gjatë, për sistemin arsimor ku mes të tjerash shkruante; “Po s’vum rend e rregull n’Arsim, prape komi ka me lingue, n’erresir të padijes e të barbaris e të hollat e shtetit kan me hupë, pa kurrfarë dobijet”. Mbase është koha që kryeministri që ka për zemër, rolin e klerit në shembjen e komunizmit dhe përshpejtimin e lirisë të ketë pak kohë e t’i hedh një sy një prej përfaqësuesve më në zë të tij, si Fishta, se ç’mendime kishte për arsimin. Sesi nuk duhet të jetë modeli jonë në arsim për mbyllje po zgjedh përsëri Branko Merxhanin. “Çdo popull, çdo shoqëri ka dhe problemin e vet shkollor. Sistemin arsimor të Anglisë nuk mund ta zbatojmë në Kinë. Po të përpiqemi ta zbatojmë, do të dështojmë keq Bile do të kalojmë rrezikun që të krijojmë për së tepërmi edhe një të tillë atmosferë të vërtetë kaotike që do të arrijmë në fund të shohim veprën t’onë të prishur e të kthyerë në një bashto pedagogjik”.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here