Superliga Shqiptare / Partizani dhe Skënderbeu fitojnë duke vuajtur, Kukësi mjaftohet me barazim ndaj Bylisit

0
149

 

Korçarët dhe të kuqtë kanë lëshuar djersë për të marrë tri pikët ndaj Vllaznisë dhe Laçit, ndërsa kuksianët janë ndalur ndaj ballshiotëve me vetëm një pikë

 

 

Jurges Veizaj

Ndeshja e futbollit, Tirana-Skenderbeu i Korces, 0-2, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin, Qemal Stafa ne Tirane.
Ndeshja e futbollit, Tirana-Skenderbeu i Korces, 0-2, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin, Qemal Stafa ne Tirane.skenderbeu

 

Superliga Shqiptare ka përfunduar dje ndeshjet e javës së 9-të të Kampionatit Kombëtar. Skënderbeu vuan, por arrin të gjejë një fitore të rëndësishme në Korçë kundër Vllaznisë në krizë të plotë. Bardhekuqtë e Mirel Josës e nisën ndeshjen në malore, por në pjesën e dytë arritën të merrnin tri pikë, duke u ngjitur në kuotën e 25 pikëve. Ishte Sebastian Sosa që zhbllokoi sfidën që në minutën e 11. Asisti perfekt i Sefës u shfrytëzua nga uruguaiani që nuk i la asnjë shans Orges Shehit duke e shtyrë topin në rrjetë. Skënderbeu nuk e humbi busullën dhe mori menjëherë kontrollin e sfidës duke kërcënuar 2 minuta më pas me nigerianin Peter Olayinka, por goditja e afrikanit ishte qendrore. Në të 16-ën Arapi iu afrua shumë golit të barazimit, por goditja e mesfushorit u devijua në goditje nga këndi. Goli ishte në ajër dhe erdhi pak sekonda më pas. Hamdi Salihi përfitoi nga një krosim i Prognit duke vendosur baraspeshën. Gjatë pjesës së parë kampionët nuk u pajtuan me këtë rezultat, por edhe pse e rritën intensitetin e sulmeve nuk arritën të kalonin në epërsi. Të njëjtën tablo dhuroi edhe pjesa e dytë, pasi korçarët e nisën menjëherë me gazin në maksimum. Ishte Progni që rrezikoi në minutën e 49, por e djathta e sulmuesit përfundoi larg portës kundërshtare. 5 minuta më pas Esquerdinha goditi me të majtën por nuk arriti të shënonte, ndërsa Osmani goditi shtyllën në të 58-ën dhe topi i kthyer në këmbët e Prognit nuk gjeti rrugën e rrjetës. 8 minuta më pas Radas tentoi portën direkt nga goditja e dënimit në të majtë, por topi u grushtua nga portieri shkodran, ndërsa në të 68-ën, Marku Pengoi në zonë Olayinkën. Për arbitrin nuk ka dyshime, 11-metërsh dhe Hamdi Salihi ndëshkoi sërish skuadrën e tij. Ndeshja u vendos përfundimisht nga Olayinka në minutën e 80. Nigeriani nuk fali me një të djathtë të saktë. Gjatë minutave të mbetura Vllaznia nuk arriti të krijonte raste të rrezikshme për të rihapur rezultatin. Kuqeblutë zbresin në vendin e parafundit të parakaluar nga Bylisi duke konfirmuar krizën që po kalon klubi dhe skuadra shkodrane.

 

Partizani, fitore spektakolare ndaj Laçit

 

Gola dhe spektakël në “Elbasan Arena”, aty ku Partizanit iu desh të kalonte tri herë në avantazh për të fituar ndaj Laçit. 2-3 ishte rezultati përfundimtar i kësaj sfide, ku lojës dhe emocioneve të dhuruara nga futbollistët në fushën e blertë nuk iu përgjigj interesimi i tifozerisë, pasi impianti i Elbasanit dukej thuajse i boshatisur, pavarësisht entuziazmit të disa qendra ultrasve të kuq, të ardhur nga kryeqyteti. I kushtëzuar nga mungesat, Starova kishte aktivizuar në portë Xhikën në vend të Hoxhës, Ibrahimi ishte spostuar në të majtë të mbrojtjes, Fejzullahu në të djathtë, ndërsa në qendër të mesfushës kishte vend për Dajën. Në të djathtë të sulmit Sukaj mbështetej nga Fazliu. Ishte pikërisht i rikthyeri në formacion, Fazliu, që ia shpërblen me një gol të shpejtë besimin Starovës. Në minutën e 4-t, pas një aksioni të gjatë të të kuqve, 28-vjeçari i asistuar nga Sukaj, e dërgon topin në rrjetë.

Reagimi i kurbinasve ishte i menjëhershëm. Një vertikalizim ndoshta pa shumë pretendime i Mustafës, kthehet në asist për Gocajn, që edhe pse në një pozicion të vështirë realizon golin e barazimit. Laci e kupton se me topa të gjatë pas shpinës së mbrojtjes së kuqe apo me kundërsulme të shpejta mund t’i bëjë keq kundërshtarit. Kështu ndodh në minutën e 15-të me James që pasi i vidhet Bicajt fton në goditje Krujën, i cili heziton në rastin e parë por kur arrin të shënjestrojë portën, devijon në fundore Xhika. Partizani shton gradualisht presionin në gjysmëfushën e Laçit, derisa në të 21, një top i hedhur në zonë nga Sukaj, devijohet në portën e tij nga Buljan, që në këtë rast ishte thjesht i pafat. Në të 30 pas një kombinimi perfekt mes Bathës dhe Fazliut, autori i golit të parë tentoi sërish portën, Vujadinovic nuk surprizohet nga finalizimi i futbollistit kosovar. Atë që se realizojnë të kuqtë e bën James në portën e Xhikës. Sulmuesi nigerian pasi merr një top të gjatë nga mesfusha, në pozicion të prirët godet në trekëndësh. I pamjaftueshëm reagimi i portierit të Partizanit, që detyrohet të nxjerrë për të dytën herë topin nga rrjeta. Në minutën e 45 Vujadinovic për pak ndëshkon skuadrën e tij, pasi në tentativë për një rivënie të gjatë godet Sukajn me topin që shkon ngjitur me shtyllën pingule. Pjesa e dytë nis sërish me gol për Partizanin. Këtë radhë Mazrekaj nxjerr nga repertori i tij një goditje të fortë nga distanca, që përfundon pas shpinës së Vujadinovic. Partizani rigjen për të tretën herë rezultatin dhe nuk mund t’ia lejonte më vetes një tjetër gabim që do të rrezikonte fitoren. Në pjesën e mbetur të lojës Starova u kushton më shumë vëmendje fazës mbrojtjes, por shpeshherë të kuqtë dalin me shumë forca në sulm, për të realizuar golin e qetësisë. Gjithsesi rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit, me Partizanin që e çoi në 9 serinë e fitoreve në këtë kampionat, duke ruajtur pozitat në krye të klasifikimit.

 

Kukësi zhgënjen ndaj Bylisit, mjaftohet me barazim

 

Nënkampionët barazuan 1-1 në fushën e Bylisit dhe ngjiten përkohësisht në vendin e tretë në renditjen e Kategorisë Superiore. Megjithatë, skuadra e Troisit shpërdoroi mundësinë për të marrë maksimumin dhe tashmë e sheh veten 11 pikë larg kryesuesve të Partizanit. Kuksianët e nisën menjëherë rrezikshëm lojën, duke krijuar rastin e parë për gol. Prej sekondave të para Malota vuri në vështirësi portierin Mushica, por mbrojtja e Bylis arriti ta largojë rrezikun. Pas vështirësive në startin e sfidës, Bylisi u organizua, por fillimisht goditja e Pepës ndalohet me trup nga mbrojtësi Memini, ndërsa më pas sulmuesi i mallakastriotëve provoi nga pozicion shumë i prirët. Me kalimin e këtyre episodeve, miqtë provuan, duke shpërdoruar të tjera shanse të mira. Ansi Nika nuk shfrytëzoi daljen mjaft të mirë të Mateus Lima. Më pas ishin dy sulmuesit brazilianë Lima e Karioka që nuk shfrytëzuan harkimin e Micit nga e majta. Reagimi i Bylisit nuk mungoi: fillimisht me pretendimin për 11-metërsh të vendasve, ku gjyqtari Alla u tregua mjaft i saktë. Pak çaste më pas Simiç dhe Peposhi nuk arritën të shfrytëzonin mundësinë e krijuar pasi topi mbeti në zonën kundërshtare. Në të 34-ën portieri Koci nuk kontrolloi si duhet goditjen e Hyshmerit, por korrigjoi menjëherë gabimin duke neutralizuar një gol të sigurt pas goditjes së Enriko Papës fare pranë portës. Momenti i mirë për Bylisin vazhdoi me Ronaille që provoi nga distanca. Në sekondat e fundit Pepa, Papa dhe Hyshmeri ndërtuan një kundërsulm mjaft të rrezikshëm për Bylisin, por mbrojtësi Gledi Mici ndërhyri në zonë dhe sipas gjyqtarit Alla gjithçka ishte e rregullt. Në shtesë, Kukësi u rishfaq me Mateus Liman, që nuk shënjestroi si duhet. Në fraksionin e dytë të sfidës, Bylisi u shfaq sërish më kërkues, por Peposhi dhe Hyshmeri nuk arritën ta vinin në vështirësi portierin Koci. Në anën tjetër, Kukësi si gjithmonë u mbështet te manovrat e brazilianëve, ku ishte radha e Mateus Lima që të vinte në vështirësi portierin Mushica. Jo aq i rrezikshëm një tjetër brazilian në fushë, Ronaille, që mbron ngjyrat e Bylisit. Pas rasteve të shumta të pashfrytëzuara, sfida në Adush Muça u zhbllokua me 11-metërsh. Mateus Lima përfitoi nga rreshtimi i gabuar i mbrojtjes vendase, dribloi portierin Mushtrica që e ndali në mënyrë të parregullt. Mes protestave të lojtarëve të Bylis, gjyqtari Alla e ndëshkoi me karton të verdhë gardianin. Ekzekutimin nga pika e bardhë e mori përsipër Zhan Karioka që nuk gaboi. Ky episod nuk shërbeu që Kukësi të merrte maksimumin e pikëve, me mungesat e Hallaçit dhe Shametit që u ndjen. I hedhur i gjithi në sulm, Bylisi iu afrua golit. Në të 81-ën kuksianët ishin me fat, kur fillimisht goditja e Pepës u përplas në traversë, ndërsa në vazhdim të aksionit shtylla shpëtoi portierin Koci pas tentativës së Mbellas. Rrjeta e barazimit për mallakastriotët nuk vonoi me Orges Gavën, që në të 87-ën realizoi pas një goditje e shkëlqyer nga distanca e largët. Sfida në Ballsh u mbyll mes nervave pas debatit ndërmjet Moreiras dhe Hyshmerit, ku nuk mungoi përdorimi i duarve. Bylisi dhe Kukësi ndajnë nga një pikë, që për pozitat dhe objektivat e dy skuadrave nuk kënaqin asnjërin kamp.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here