Tekniku kuqezi është shprehur se ndeshjet janë një test i mirë për lojtarët që do të shkojnë në Euro 2016
Shqipëria rikthehet sërish, por tashmë si një skuadër e kualifikuar në Euro 2016. “Miqësoret me Kosovën dhe Gjeorgjinë duhen shfrytëzuar në maksimum, pasi mundësitë për të testuar veten deri në Evropian janë të pakta“. Kështu e ka nisur konferencën për shtyp trajneri i përfaqësuese shqiptare, Gianni De Biasi, që kërkon vlerësimin e duhur në këto dy sfida. “Jemi në vigjilje të dy miqësoreve, të cilat na nevojiten shumë për Euro 2016. Kam grumbulluar 25 futbollistë, pasi dëshirojmë të çojmë përpara projektin e nisur. Ndaj Kosovës është një ndeshje shumë e veçantë, por ne kemi pak kohë dhe duhet ta shfrytëzojmë në maksimum. Kush do të aktivizohet, duhet të më tregojë se vlen. Kemi ndeshjen me Kosovën dhe Gjeorgjinë, plus një ose dy në muajin mars, kështu që këto dy ndeshje janë për të vlerësuar lojtarët”. Numri një i stolit kuqezi është treguar i hapur duke shpjeguar çështjen “Avdijaj”, si dhe marrëdhëniet me trajnerin e Kosovës, Bunjaki. “Nuk jetoj me trajnerin e Kosovës, por jemi takuar një herë dhe kemi biseduar. Midis dy federatave ekziston një marrëveshje, sipas të cilës ata futbollistë që janë të kombëtares shqiptare do të luajnë aty. Tifozët e kanë bojkotuar si ndeshje, por një miqësore mund të bëhet edhe brenda grupit. Po të dëshirojnë le të vijnë, kjo është thjesht një miqësore dhe jo një ndeshje gjeopolitike. Për sa i përket çështjes “Avdijaj”, nuk mund të merrni për bazë shtypin e huaj, duhet të më pyesni mua. Çdo futbollist e ka derën e hapur dhe në mars do të vijë në skuadër cili do të jetë në formë. Janë 32 futbollistë që na sollën deri këtu, kështu që nga ky numër do të dalë edhe ekipi për në Francë”. Duke thënë këtë, De Biasi tregon dhe filozofinë e tij për preferencat që ka në grumbullimin e futbollistë, duke kaluar edhe në emra të përveçëm. “Në futboll luan ai që është më i mirë, kush lufton dhe kush bën pjesë në grup, ai që buzëqesh edhe kur shkon në tribunë. Luan ai që është i lumtur kur vjen në kombëtare. Në Francë shkuam jo se jemi ekipi më i mirë, por kishim frymën e grupit. Salihin nuk e kam thërritur, por deri në mars do të shohim. Lilaj ka kualitet dhe sa herë e grumbullojmë jep 110% dhe për më tepër përshtatet shumë shpejt. Besart Berishën nuk e kam në plane, nuk ka ardhur më parë dhe nuk do të vijë më”. Koha kalon shpejt dhe Evropiani i Francës është në prag. Të gjithë janë të interesuar se ku do të jetë kampingu i kuqezinjve tanë gjatë aktivitetit më të rëndësishëm në kontinent verën e ardhshme. “Kemi parë 3 ose 4 vende në Francë, por pas shortit do të vendosim se ku do të qëndrojmë”.
Box
Meha, i habitur nga lënia jashtë listës
Futbollisti Alban Meha mungon në listën e përzgjedhësit të Shqipërisë, Giani De Biasi, për dy miqësoret e nëntorit që Shqipëria do të luajë kundër Kosovës dhe Gjeorgjisë në datën 13 dhe 16. Lojtari i Konyasporit shpreh keqardhjen për ftesën e munguar sidomos për sfidën ndaj Kosovës. Në intervistën e tij mesfushori deklaron se ndihet i zhgënjyer për mos grumbullimin në Përfaqësuese. “Me mua nuk ka folur askush. Unë nuk di asgjë çfarë bëhet. Kam qejf ta di arsyet”, – tha ai. Ju nuk keni folur me De Biasin? “Jo. Unë kam luajtur 12 ndeshje deri tani. Çdo ndeshje kam qene 90 minuta në fushë dhe jam në top formë”, – tha Meha. E çuditshme mungesa juaj në këto miqësore? Mos ka ndikuar kalimi nga kampionati gjerman në atë turk për mosgrumbullimin në kombëtare, gjatë këtyre kohëve? “Nuk besoj. Unë jam dhe më i fortë se kur kam qenë në Gjermani dhe këtu ku jam luaj kundër lojtarëve si Van Persie, Nani, Diego, Podolski… jam në formë shumë të mirë këtë vit”, – është shprehur Meha.