Protestë përballë Kryeministrisë /  Vazhdon beteja e studentëve kundër ligjit për arsimin e lartë  

0
141

 

Thirrje Kryeministrit të tërhiqet nga ky ligj, në të kundërt paralajmërojnë protesta të vazhdueshme dhe bojkot të mësimit

 

studentet_proteste_2558

Studentët kanë vazhduar betejën e radhës kundër ligjit për arsimin e lartë. Këtë herë vendosën të protestonin përballë ndërtesës së Kryeministrisë dhe i bënë thirrje Kryeministrit të tërhiqet nga ky ligj, në të kundërt kërcënuan me protesta të vazhdueshme. Sipas studentëve, ky ligj i privon nga e drejta për t’u arsimuar, për shkak të tarifave të larta

 

Dori Hoxha

 

Studentët vazhdojnë të shprehin qëndrimin e tyre kundër ligjit për arsimin e lartë, të cilin e quajnë reformën e zhvatjes së xhepave të tyre. Dje, për më shumë se 90 minuta, studentë të fakulteteve të ndryshme të Tiranës, por edhe të qyteteve të tjera zhvilluan protestën e radhës përpara Kryeministrisë. Tarifat e larta të cilat rrezikojnë arsimimin e studentëve, cenimi i autonomisë së universiteteve publike dhe favorizimi i universiteteve private kanë qenë që në fillim kryefjala e protestave të vazhdueshme të realizuara nga studentët dhe Lëvizja për Studentët. Gjithashtu, një pikë tjetër, e cila nxiti zhvillimin e kësaj proteste ishte edhe dhuna e ushtruar ndaj studentëve, pasi qëlluan me vezë një javë më parë Kryeministrin, Edi Rama. Studentët, ashtu siç kishin njoftuar edhe më herët, marshimin e nisën nga Fakulteti i Shkencave Sociale, tek korpusi universitar për t’u ndalur më pas para kordonit policor para Kryeministrisë, ku i bënë thirrje për të disatën herë qeverisë të heqë dorë nga ligji i arsimit të lartë.

 

Studentët, thirrje Kryeministrit të tërhiqet nga ligji për arsimin e lartë

Gjatë protestës studentët i bënë thirrje Kryeministrit Rama që të tërhiqet nga ky ligj, të cilin e cilësojnë si kërcënim për arsimimin e të rinjve, në të kundërt kërcënuan me protesta të vazhdueshme dhe bojkotim të mësimit. “I bëjmë thirrje Kryeministrit Edi Rama të tërheqë ligjin e arsimit të lartë, në të kundërt do të bëjmë paralizimin e plotë të jetës universitare deri në realizimin e kërkesës sonë. Mblidhemi sërish për të kundërshtuar reformën kundër arsimit të lartë dhe kundër dhunës ndaj studentëve. Vezët e hedhura nuk ishin qëllim në vetvete, por mjet i domosdoshëm. Ne aktivistë të lëvizjes studentore kemi shprehur të gjitha mjetet paqësore, por nuk u morën kurrë në konsideratë, prandaj dhe reagimi ynë i goditjes me vezë ishte i drejtë”, – u shpreh një nga studentet pjesëmarrëse në protestën e zhvilluar dje përballë Kryeministrisë. Ndërkohë, aktivisti i Lëvizjes për Universitet, Arlind Qorri, gjatë fjalës së tij bëri thirrje për bashkim të studentëve, me qëllim ndalimin e vënies në jetë të ligjit për arsimin e lartë. “Në qoftë se ne bëhemi shumë dhe jemi të vendosur, ligji është gjëja më e thjeshtë që mund të ndryshojmë”, – u shpreh Qorri. Gjatë protestës studentët ishin të pajisur me vezë, por ndërtesa e Kryeministrisë nuk u qëllua. Lidhur me këtë një nga studentet u shpreh se vezët i kishin marrë në formë simbolike. “E solli dhuna vezën apo veza dhunën? Sipas meje, e solli dhuna vezën dhe prej dhunës ka ardhur dhe kjo vezë në formë simbolike”, – u shpreh njëra nga studentet protestuese.

Studentët, përveç pankartave dhe thirrjeve që deklaronin qëndrimin kundër ligjit për arsimin e lartë, zgjodhën që njëzëri të përcillnin edhe disa vargje, përmes të cilave shprehnin revoltën kundër situatës ekonomike dhe politike në të cilën ndodhet vendi ynë.

 

Vargjet e studenteve

“Jam student i revoltuar nga sistemi i varfëruar/ refuzoj të jem e ardhmja që nga sot do jem e tashmja/Duam bursë duam banesë, kushte të mira për jetesë/duam punë duam dije/s’duam luks qeveritar për piktura e jaguarë/ por shkollime e dinjitet, ku studenti ka të drejtë/s’duam rrena as reklama qeverie/Por reforma për konvikte/përgjysmim të çdo tarife/Jam student që nuk frikësohem/rezistenca nuk ndalohet/Por bashkohem protestoj që reformën ta rrëzoj/ Me vezë me vezë studenti po ju pret.

Protesta u organizua nga Lëvizja për Universitet dhe u mbyll e qetë, por në sy ra prania e lartë e forcave policore, ku ashtu si në protestat e tjera të zhvilluara përballë ndërtesës së Kryeministrisë, edhe këtë herë nuk mungoj kordoni i policeve femra. Studentët qëndruan rreth dy orë ulur në bulevard, ndërkohë në mbështetje të tyre kishin ardhur edhe studentë protagonistë të disa lëvizjeve studentore nga Kosovë.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here