Hetimet  / Zyrtare nga Prokuroria: Zjarri i rënë në laboratorin e kriminalistikës dogji 20 prova  

0
143

laboratori i droges

Zjarri në laboratorin e Kriminalistikës ka shkatërruar provat e 20 dosjeve, 12 prej të cilave janë çështje që kanë të të bëjnë me aksionet antidrogë të kohëve të fundit. Kjo është përgjigjja e ekspertëve, e dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës, mbi ngjarjen që shkaktoi akuzat e opozitës ndaj ministrit të Brendshëm, pasi, – sipas saj, – me këtë zjarr ai ishte njeriu, që kishte zhdukur provat për trafikantët. Ekspertët u janë përgjigjur në këtë dokument, 4 pyetjeve të Prokurorisë për shkakun e zjarrit në laborator, burimin e nxehtësisë që sipas specialistëve është një drosel elektromagnetik, e që sipas mënyrës së vendosjes së ndriçuesit nuk ka qenë i sigurtë me elementët e shtrirjes së kabllit.

 

Vatra e zjarrit

Ekspertët pohojnë se nuk ka qenë e sigurtë edhe mosfiksimi i tokëzimit të ndriçuesit, çfarë ka sjellë rënien e ndriçuesit nga tavani, mbi tavolinën që mbahej në korridor. Pyetjes se, cila është vatra fillestare e zjarrit, ekspertët i përgjigjen se, gjithçka ka nisur pingul me pozicionin ku ndodhej në tavan ndriçuesi, ndërkohë që dëmtimi prej energjisë konstatohej edhe me sy të lirë gjatë këqyrjes te kablli i ndriçuesit. Për ekspertët, në dyshemenë e korridorit të laboratorit u konstatuan mbetje të materialit të djegur, që ishte lëndë narkotike, si dhe mbeturinat e ndriçuesve të rrëzuar. Por, ndërsa ekspertët nuk përcaktojnë se, sa është sasia e lëndës narkotike të djegur e që ndodhej aty si provë materiale, jozyrtarisht pohohet se është konstatuar dëmtimi i 20 provave, prej tyre i 12 mostrave kanabis sativa, që ishin vendosur në tavolinë në korridor për t’u tharë, e që janë pa autorë; dhe për 8 të tjera, që janë të regjistruara me autorë. Prokuroria e Tiranës pritet të bëjë një analizë të veçantë për këtë ngjarje, për të vendosur se çfarë veprimesh të tjera hetimore do të ndërmarrë. Nga ana tjetër, në raportin e tyre, ekspertët rekomandojnë që Laboratori i Kriminalistikës të rikonstruktojë sistemin e ndriçimit në përputhje me klasifikimin e rrezikshmërisë ndaj zjarrit, që ka në disponim, ndërkohë që e konsideron gjendjen ekzistuese të sistemit të ndriçimit si të pasigurtë, jo vetëm nga cilësia e ndriçuesve, por edhe nga mënyra për instalimin elektrik të tyre.

 

Reagimi i policisë

Në ditën që ra zjarri, zyra për shtyp e Policisë së Shtetit, nuk dha detaje për djegien e lëndës narkotike, por vetëm pohoi se dyshohet se aty mund të jenë djegur një sasi e dyshuar si drogë, duke mos përcaktuar se e çfarë llojit ishte dhe sa kilogram janë shkrumbuar në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës. Nuk është e qartë se në çfarë aksioni të policisë ishte sekuestruar droga e djegur. Gjithashtu, nuk dihet nëse ekspertët shkencorë i kishin përfunduar analizat, apo droga që ishte në korridor ende nuk ishte analizuar. Pas konstatimit të vatrës së zjarrit, në vendngjarje shkuan zjarrfikësit, që arritën t’i izolojnë dhe shuajnë. Për këtë ngjarje, u ngrit një grup hetimor për të hetuar djegien. Në laboratorin Kriminalistik analizohen të gjitha provat, si armë, shenja gishtash e të tjera, që oficerët e policisë gjyqësore sekuestrojnë në një vendngjarje. Ndërkaq nuk është përcaktuar nëse zjarri ka qenë i qëllimshëm apo aksidental.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here