Gjermeni dhe Johnson, thirrje për bashkëpunim mes pushtetit vendor dhe qeverisë për realizimin e këtij projekti
Prezantohet “Manuali teknik për planifikimin territorial”, hartuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit me asistencën e USAID-it. Gjermeni e cilësoi këtë projekt historik, por për realizimin e tij bëri thirrje për bashkëpunim mes qeverisë dhe pushtetit vendor
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, prezantoi dje në prani të kryetarëve të bashkive të vendit dhe drejtorit ekzekutiv të USAID-it, Markus Johnson, “Manualin teknik për planifikimin territorial”. Manuali në fjalë është projekt i hartuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit me asistencën e USAID-it. Ministrja Gjermeni e cilësoi si një proces historik, duke shtuar se fillimisht do të kryhen dëgjesa publike në Korçë, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë për hartimin e tri planeve kombëtare. “Veç tri planeve kombëtare, që janë vizioni dhe paraqesin se si do të jetë Shqipëria në vitin 2030, ne po punojmë bashkërisht për të gjitha njësitë vendore, në mënyrë të veçantë për 26 prej tyre për të realizuar planet e tyre të përgjithshme vendore. Siç jeni në dijeni, 26 bashki do të kenë planet e tyre vendore, duke u ndihmuar me asistencë dhe ekspertizë nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe nga AKPT. Them se është proces historik, sepse nuk ka ndodhur ndonjëherë që njësitë vendore të marrin fonde apo ekspertizë në mënyrë të tillë intensive që të hartojnë planet e tyre të përgjithshme vendore”, – tha Gjermeni. Më tej, ministrja e Zhvillimit Urban premtoi se për sa u përket 30 njësive të tjera vendore, nga 61 që janë në total, të cilat nuk do të preken nga ky buxhet, do të ketë hapësirë për financim si brenda buxhetit të shtetit, por edhe përmes donatorëve ndërkombëtare. Proces, i cili kërkon vijimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me të gjithë kryetarët e bashkive, deklaroi ministrja në fjalën e saj. Ndërsa drejtori i USAID-it, Markus Johnson, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në procesin e realizimit të planeve kombëtare, por në veçanti për planet e përgjithshme vendore. “Ju jeni të vetëdijshëm që planifikimi i territorit nuk mund të realizohet i vetëm, as nga njësitë e qeverisjes vendore dhe as vetëm nga qeveria. Është një proces që kërkon bashkëpunimin e të gjithë aktorëve”, – tha Johnson. Përveç 26 bashkive, që do ndihmohen në mënyrë të drejtpërdrejtë me një fond prej 560 milionë lekësh për hartimin e planeve vendore, 5 njësi të tjera vendore do të ndihmohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga programi i USAID-it për të hartuar planet e përgjithshme vendore.