Qytetari malazez, i cili u kap më 5 nëntor me një arsenal armësh në Bavari, ka gjasa të ketë lidhje me sulmet terroriste të Parisit. “DW” zbulon lidhje të tjera.
Kallashnikovë, pistoleta, granata dore dhe lëndë shpërthyese – një arsenal të gjerë armësh gjetën autoritetet gjermane në një kontroll rutinë në autostradën A8 në Bad Feilnbach, Bavari. Të fshehura mirë në një automjet të tipit “Golf 5”, në timonin e të cilit qëndronte një qytetar malazez, Vlatko K. (“Deutsche Welle” është në dijeni të emrin të plotë të autorit). Sipas mediave në sistemin e navigimit të tij është gjetur një adresë në Paris si destinacion. Policisë Vlato K. i ka thënë vetëm se ka dashur të shohë kullën Eifel dhe se nuk ka pasur dijeni për armët që ishin brenda.
Kjo ka ndodhur më 5 nëntor tetë ditë para sulmeve terroriste në Paris. Autoritetet gjermane i kanë informuar homologët malazezë me vonesë, vetëm më 10 nëntor, kështu thuhet në Podgoricë. Në Gjermani shoqërimi në polici i Vlatko K. është parë si një rast i izoluar i kontrabandës së armëve, pa lidhje me terrorizmin. Një politikan i nivelit të lartë malazez, emri i të cilit nuk u publikua, pretendon në agjencinë e lajmeve, Mina se është një akuzë dashakeqe që një qytetar malazez të ketë të bëjë me atentatet e Parisit. Ndërsa gazeta proqeveritare, Pobjeda i cilëson raportimet e mediave gjermane si “propagandë”, që synon të pengojë dritën jeshile për anëtarësimin në NATO.
Vlatko K. me probleme sociale
Policia malazeze ka nxituar të publikojë se Vlatko K. nuk ka qenë person i dyshuar për autoritetet – dhe kjo para së gjithash sepse ai nuk është mysliman, por i krishterë ortodoks. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë, Zoran Miljaniçin, kjo e zemëron. “Nuk dihet se si policia malazeze arrin kaq shpejt të përjashtojë një lidhje mes këtij njeriu dhe sulmeve në Paris”, shprehet ai për “Deutsche Welle”-n. “Edhe dhe shënimi se ai është i krishterë, nuk ka kuptim. Në terror dhe logjistikën e tij mund të ndodhë të përfshihen njerëz nga të gjitha fetë. ”Sipas informacioneve të “Deutsche Welle”-s, 51-vjeçari Vlatko K. vjen nga një fshat, Bioçe, 20 kilometra në veri të Podgoricës. Ai nuk ka grua dhe fëmijë, ndërkohë që i vëllai dhe të afërmit e përshkruajnë si një njeri të varfër, që i ka fituar paratë me punë të rastësishme në fusha apo në vreshta. Të afërmit me gjasë nuk kishin dijeni se ai ishte nisur me një automjet nga Podgorica në drejtim të Parisit. I vëllai është pyetur nga policia malazeze më 15 nëntor, dy ditë pas sulmeve të Parisit.
Propagandë islamiste
Autoritetet janë të informuara se në vendin e vogël pranë Adriatikut ekziston një skenë islamiste. Sidomos në rajonet kufitare me Bosnjën, Kosovën dhe Shqipërinë qarkullon propagandë xhihadiste. Përveç kësaj dihet që ka edhe qytetarë malazezë që i janë bashkangjitur grupeve terroriste në Siri. Në fund të tetorit, Siria i ka dorëzuar autoriteteve malazeze një luftëtar të plagosur të të ashtuquajturit, Shteti Islamik. Në qershorin e vitit të kaluar, Shteti Islamik publikoi një video për Ballkanin, ku myslimanëve iu bëhet thirrje të vrasin fqinjët. (http://www.dw.com/de/derbalkan-als-einfallstor-f%C3%BCr-den-is/a-18521958). Qindra luftëtarë nga Kosova, Bosnja dhe Serbia luftojnë ndërkohë në Lindjen e Afërt. Deputeti malazez Miljaniç ka kërkuar një ashpërsim të ligjeve, që do të jepte dënime për malazezët që marrin pjesë në luftë jashtë vendit dhe kthehen në vendlindje. “Ka persona të caktuar, ndoshta edhe grupe të organizuara, që shkojnë të luftojnë jashtë. Sipas dijenisë sonë, nuk ka kamp trajnimi për xhihadistët në Malin e Zi. Por ndoshta vende ku kampe të tilla ekzistojnë janë ndoshta dy ose tre orë larg –Bosnja, Kosova, Maqedonia.”Nuk dihet nëse Vlatko K. e dinte se çfarë arsenali ndodhej në automjetin e tij dhe se kush do ta merrte këtë automjet në Paris. Megjithëse autoritetet bavareze përmendin kapjen e malazezit në Bavari ende nuk ka një konfirmim të lidhjes së automjetit të Vlatko K. dhe atentateve të Parisit. Ajo që mund të thuhet është se bashkëpunimi mes autoriteteve gjermane dhe atyre malazeze, çdo gjë tjetër, por vetëm efektiv nuk ka qenë.