Prokuroria e Përgjithshme veçon dosjen e deputetit Armando Prenga me peshkatarët e familjes Cali, dy prej të cilëve që dyshohet se i ka plagosur me armë. Mësohet se me urdhër të kryeprokurorit Adriatik Llalla, dosja penale ndaj deputetit Prenga për shkak të imunitetit është veçuar dhe do të hetohet i vetëm pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërsa ndaj Gjergj, Nikoll e Gjok Calit e shokut të deputetit Prenga, të dyshuarit Gazmir Jushi dosja ka kaluar për kompetencë pranë Prokurorisë së Kurbinit. Sipas akuzës, peshkatarët e familjes Cali dhe shoku i deputetit Prenga do të hetohen dhe gjykohen në Kurbin, duke i dhënë të drejtën edhe të ankimit të vendimeve që pritet të jepen nga gjykatat ndaj tyre. Sipas Prokurorisë, shkak për veçimin e kësaj dosjeje është bërë kërkesa e avokatëve të peshkatarëve të familjes Cali, të cilët kërkojnë gjithashtu edhe pushimin e hetimit ndaj tyre. Edhe Armando Prenga, me ndihmën e avokatëve, ka përsëritur kërkesën në Gjykatën e Lartë për t’u liruar nga qelia e burgut. Ai kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, kërkesë kjo që do të shqyrtohet nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në ora 13:00 të datës 23 nëntor. Ngjarja për të cilën është arrestuar deputeti Armando Prenga ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së 4 shtatorit. Fillimisht deputeti Prenga është përplasur me Gjok Calin, të cilin e ka qëlluar me qytën e pistoletës në kokë në rrugën Patok – Laç. Dhe disa minuta më pas, familjarët e deputetit Prenga bashkë me këtë të fundit, sipas akuzës, janë përplasur fizikisht edhe me armë me pjesëtarët e familjes Cali, ku për pasojë janë plagosur dy prej tyre në këmbë. Vetë deputeti e ka mohuar faktin se ka plagosur dy peshkatarët dhe se nuk ka përdorur armë tjetër, përveç asaj të marrë me leje. Por ekspertët kanë konstatuar se të shtënat nuk janë bërë nga arma e tij e punës, por nga një armë tjetër që policia ende nuk e ka gjetur.