Prania e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në Komisionin parlamentar të Ligjeve edhe këtë të hënë është shoqëruar me debate të forta mes tij dhe deputetëve të Partisë Demokratike anëtarë në këtë komision.
Ministri Tahiri raportoi në lidhje me marrëveshjen për shërbimin policor me Kroacinë, por demokratët menjëherë janë hedhur në “sulm” duke akuzuar se nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme nga Tahiri, Shqipëria është kthyer në bahçe të kanabisit. Madje deputeti Ristani, tha se deklarata që ambasadori amerikan Donald Lu bëri pak ditë më parë se “ministra të korruptuar i tremben reformës në drejtësi”, adresohet pikërisht ndaj ministrit Saimir Tahiri.
Debatet në Komisionin e Ligjeve
Arben Ristani : Tonelata droge kalojnë kufirin dhe kjo bëhet me ndihmën e policisë. Frroku e Shullazi janë lënë të lirë falë këtij.
Bashkim Fino: Bëjmë mbledhje sipas rregullores jo politike.
Saimir Tahiri: Shqiptarët nuk presin prej meje të përgjigjem me të njëjtën gjuhë si deputeti Ristani. Puna ime flet më qartë se ajo që thotë opozita sot.
Sot lufta kundër drogës është sukses i qeverisë dhe policisë. Kjo faktohet edhe në progres raport. Në vitin 2015 treguesit thonë së është mbjellë drogë 8 herë më pak. Të ndalojmë gjuhën e urrejtjes ndaj Policisë së Shtetit . Jam i gatshëm të përgjigjem atje ku të jetë e mundur, por të vërtetat duhet të dalin.
Oerd Bylykbashi: Nuk mund të na vijë ky të na tregojë gishtin. Të ulë kokën para këtij komisioni. Opozita nuk ka hedhur baltë mbi policinë, por do të vazhdojë të ngrejë gishtin e akuzës ndaj kupolës. Nën drejtimin e Tahirit është kthyer Shqipëria në bahçe të kanabisit. Mos të na vij ministri këtu të flasë broçkulla
Eduard Halimi: Faktet flasin vetë. Ky ka qenë një person që shante policinë e Shtetit nga mëngjesi në darkë për një gërvishtje makine.
Saimir Tahiri: Kam respekt për këtë komision, por neveris gjuhën e përdorur. Juve ju rrinte Lazarati nën hundë dhe nuk lëvizte një gisht. Çdo akuzë e juaja është forcë për mua për të luftuar krimin dhe informalitetin.
Arben Ristani: Ky ministër duhet të largohet. Kur ambasadori amerikan thoshte që ministra të korruptuar i tremben drejtësisë e kishte për këtë.