Takimi /Hipotekat, Manjani: Deri në Bruksel kanë dëgjuar për ju. Do të përfundoni në burg

0
138

Manjani

 

Për të treguar se korrupsioni ekziston dhe në zyrën e Hipotekës në kryeqytet, ai ka bërë publike ankesën e një qytetari, i cili prej dy vitesh pas aplikimit në 2013-ën ende nuk ka marrë një përgjigje. Sipas Manjanit, është e pamundur që të mos ketë një përgjigje për qytetarin, por zvarritja, u shpreh ai, bëhet për t’i hapur rrugë korrupsionit

 

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, paralajmëron furtunë shkarkimesh për zyrtarët e korruptuar që shërbejnë në zyrat e hipotekave si dhe paralajmëron vartësit se në rast se marrin ryshfet do përfundojnë tek “313”-ta. Në një takim me kryeregjistruesit në gjithë vendin, Manjani u kujtoi vartësve se sportelet e tyre nuk janë për të ndarë prona, por për t’u shërbyer qytetarëve.

“Ju e dini shumë mirë që kjo nuk është zyrë që ndan toka dhe as prona. Ne jemi thjesht një magazinë inventari titujsh, që u shërben njerëzve sipas nevojës. Sepse nëse vërtetë do të konstatoja që në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ndahen tituj, sigurisht të pamerituara, ju siguroj me bindje që për sa kohë të jem në këtë pozicion nuk kam për të lënë njeri, me çdo mjet, që të shërbejë në ZRPP. Kemi një godinë tjetër, gjithashtu nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë, që është 313, këtu afër, kemi shërbim me çelësa në dorë. E kam të papranueshme këtë gjë, jo vetëm unë personalisht por edhe qeveria, shteti dhe shoqëria shqiptare. Mos mendoni se unë e kam fytyrën më të pastër nëse ZRPP akuzohet. Jo, akuzohem edhe unë bashkë me ju”, – u shpreh ministri i Drejtësisë.

 

Shembulli

Për të treguar se korrupsioni ekziston dhe në zyrën e Hipotekës në kryeqytet ai ka bërë publik ankesën e një qytetari i cili prej dy vitesh pas aplikimit në 2013 ende nuk ka marrë një përgjigje. Sipas Manjanit, është e pamundur që mos ketë një përgjigje për qytetarin, por zvarritja u shpreh ai bëhet për t’i hapur rrugë korrupsionit. “Për shembull, sot e kam nisur ditën e punës me një ankesë, aplikim për një kartelë që në vitin 2013 dhe nuk është marrë ende sot. Është e papranueshme që aplikuesi mos të ketë marrë ende një zgjidhje. Jam i bindur që bëhet për arsye korrupsioni. Reforma e ADISA-s do të jetë një shërbim më vete, por është e papranueshme që ne mos t’i kthejmë përgjigje qytetarit dhe ky është një problem i përhershëm”, – tha Manjani.

 

Raporti i Brukselit

Manjani ka qenë i drejtpërdrejtë me kryeregjistruesit teksa i ka përmendur atyre progres-raportin, sipas të cilit pas gjyqtarëve të korruptuar shqetësim mbeten zyrat e regjistrimit të pasurive. “Lexoni progres raportin se çfarë thotë për ju, deri në Bruksel ju ka vajtur nami. Na pëlqen të flasim shumë për transparencë, antikorrupsion, por problemi është kompleks, sepse kapja me lekë në dorë është fundi i historisë. Çështja është që të ndërtojmë një marrëdhënie që gjërat të funksionojnë. Do të ketë masë ekstreme të largimit nga puna për cilindo që shkel afatet në shërbim. Po kërkoj vetëm afate dhe asgjë tjetër. Nuk mund të kemi marrëdhënie pune me njerëz ç’njerëzorë. Dhe mos u frikësoni se po na ikin disa dhe nuk kemi se ku t’i gjejmë. Po, po, do ikin disa. Kujdes edhe nga këto tradicionalet që sa ikin nga shërbimi shkojnë tek kioska përballë zyrës. Janë të gjithë në monitorim! Është e papranueshme! Secili është i lirë që në biznesin e vetë të bëjë çfarë të dojë por nuk ka punë me ZRPP. Sot kemi të rinj dhe të reja sa të duash, që ndoshta mund të mos jenë profesionalisht në nivelin që duhet”, – tha ministri.