Rrëzimi i avionit/Putin: Ishte thikë pas shpine, me ndikim në marrëdhëniet tona

0
227

putin

 

Rrëzimi i avionit luftarak rus në kufirin e Turqisë me Sirinë rrezikon të përshkallëzojë marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Moskës

Pas disa orësh paqartësie dhe këmbënguljeje të Ministrisë së Brendshme ruse, se mjeti i tipit SU-24 ishte rrëzuar në territorin sirian, i qëlluar nga toka, Vladimir Putin konfirmoi variantin turk se avionin e goditën “F16”-tat e Turqisë, e shkoi edhe më larg se kaq, duke e paralajmëruar Ankaranë për pasoja serioze.“Ky episod del jashtë kornizës normale të luftës kundër terrorizmit, – deklaroi shefi i Kremlinit. – Ushtria jonë po bën përpjekje heroike, por kjo ishte një thikë pas shpine e atyre që bashkëpunojnë me terroristët, sepse unë nuk e përshkruaj dot ndryshe. Avioni ynë u rrëzua mbi territorin e Sirisë nga raketat e një “F16”-te turk. Ai ra në tokën siriane 4 kilometra larg Turqisë, – shtoi presidenti rus, – duke deklaruar më tej se barbarizma të tilla, Moska nuk ka për t’i toleruar”.Ankaraja njoftoi më herët rrëzimin e mjetit, me argumentin se shkeli hapësirën e saj ajrore dhe injoroi paralajmërimet e përsëritura për t’u larguar. Dy pilotët kanë arritur të hidhen me parashuta, megjithatë nuk dihet se ku ndodhen aktualisht.Helikopterë rusë janë duke i kërkuar në malet siriane, ku mendohet se mund të kenë rënë. Por, ndërkohë, një video e siguruar nga agjencia e lajmeve “Reuters” tregon atë, që besohet të jetë njëri nga pilotët rusë, i cili dergjet në tokë i palëvizur, ndërsa një eksponent i rëndësishëm i një grupi rebel sirian pretendon se, personi që shihet në pamjet filmike është i vdekur.Videoja është filmuar nga rebelët, që veprojnë në veriperëndim të Sirisë, territor ky ku janë aktive një sërë grupimesh kundërshtare të regjimit, siç është “Ushtria e Lirë Siriane”, por ku nuk ka prani të Shtetit Islamik.
Aty dëgjohen zëra të thonë se, “ky është pilot rus. Brigada e dhjetë kapi pilotin rus. Zoti është i madh”. Megjithatë, personi që foli për “Reuters” nuk tha asnjë fjalë për pilotin e dytë.
Ankaraja këmbëngul se ishin “F16”-tat turq, ata që rrëzuan avionin pas paralajmërimeve të njëpasnjëshme se po shkelte hapësiren ajrore turke. Sipas BBC-së, avioni i mbështjellë nga flakët ka rënë në malet e provincës së Latakias. Turqit thonë se në video shihen momentet e rënies së “SU-24”-s në rajonin kufitar sirian Bajirbuçak, i ndodhur përballë Hatajit të Turqisë.Presidenti i Turqisë, RecepTayyipErdogan u informua menjëherë për ngjarjen nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, ndërsa kreu i ekzekutivit, AhmetDavutoglu i kërkoi Ministrisë së Jashtme, që në lidhje me këtë çështje të bëjë ndërhyrjet e duhura në NATO dhe OKB.Turqia është ankuar në dy raste për shkeljen e hapësirës së saj ajrore nga avionët rusë. Moska e nisi në shtator fushatën e saj të bombardimeve në Siri dhe, një muaj më vonë arriti një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për ruajtjen e distancës dhe shmangien e përplasjeve në qiellin sirian.Por ky i djeshmi ishte pikërisht lloji i incidentit, të cilit shumëkush i druhej që prej fillimit të operacioneve ajrore ruse në atë vend. Rreziku i fluturimeve aq pranë kufirit turk ishte shumë i qartë për të gjithë.

Avionët e Ankarasë kanë rrëzuar deri tani, të paktën një avion ushtarak të Damaskut, e sipas gjasave, edhe një helikopter. E ndërsa Moska këmbëngul se avioni i saj nuk e shkeli hapësirën ajrore turke, shumë pyetje po ngrihen mbi ngjarjen, përfshirë saktësinë e sistemit të navigimit të pilotit rus dhe gatishmërinë e madhe të turqve për të hapur zjarr.