Turqia po përpiqet me çdo kusht të tregojë si përmes regjistrimit audio të paralajmërimeve ndaj avionit rus për të mos shkelur hapësirën e saj ajrore, aq edhe me publikimin e të dhënave të përftuara nga radarët, se rrëzimi i SU-24-tës së Moskës ishte legjitim.
“Ndryshoni kurs menjëherë drejt jugut”, dëgjohet të thotë një zë në turqisht. Ankaraja madje pretendon se ka tentuar edhe t`i shpëtojë dy pilotët e bombarduesit rus. Një prej tyre u vra, i qëlluar nga toka prej rebelëve gjatë rënies me parashutë. Tjetri u arrit të shpëtohej pas një misioni 12-orësh të forcave ruse në bashkëpunim me ato speciale siriane, të dërguara menjëherë në zonën e rrëzimit në kërkim të tij.
Deklaratat e forta të kapitenit Konstantin Murakhtin ritkhejnë gjendjen fillestare të konfliktit verbal mes dy vendeve, që vazhdojnë të këmbëngulin secili në variantin e tij. “Nuk morëm asnjë paralajmërim nga turqit, as me radio, as vizualisht”, deklaroi kapiteni, i bindur në çdo rast se avioni nuk kishte hyrë në qiellin turk.
“E shihja fare mirë në hartë e në tokë se ku ishte kufiri. S`kishte asnjë rrezik që të hynim në Turqi”, shtoi kapiteni.
Ankaraja nuk lëkundet nga pozicioni i saj. Kemi dhënë prova konkrete të shkeljes së hapësirës sonë ajrore, u shpreh një zyrtar i lartë. Në këtë pikë, konsiderojmë se nuk ka më asgjë për të diskutuar.
Shefi i dipomacisë ruse, Sergei Lavrov, bisedoi për rreth një orë të mërkurën me homologun turk, të cilit, me sa duket, nuk ka ngurruar t`i flasë hapur: “Goditja e avionit rus duket si provokim i planifikuar që përpara. Edhe nëse pretendimet turke se avioni shkeli hapësirën e tyre ajrore do të rezultonin të vërteta, për rrethanat në të cilat flasim, nuk ka asnjë arsye përse ai avion të qëllohej”.
Incidenti i së martës përbën të parën herë që prej luftës koreane që një vend anëtar i NATO-s rrëzon një avion luftarak rus. Aleanca veriatlantike mbështeti versionin turk të ngjarjeve, por sërish kërkoi zgjidhjen e ngërçit me diplomaci e ulje të tensioneve. Vetë turqit e pranojnë se avioni nuk e shkeli hapësirën e tyre ajrore për më shumë se 17 sekonda, çka ngre pyetje mbi gadishmërinë e madhe për ta shënjestruar, aq më tepër kur vetë koha e qëndrimit dëshmon se bombarduesi rus nuk përbënte asnjë kërcënim.
Moska dhe Ankaraja e kanë gjetur veten në kahet e kundërta të konfliktit sirian, me Rusinë që mbështet aleatin e saj të vjetër, presidentin Bashar al-Assad dhe Turqinë, kundërshtare të ashpër, që kërkon largimin e tij nga skena politike e vendit.