Risitë për biletat/Ndryshojnë rregullat për transportin e udhëtarëve

0
159

 

biletarÇmimi i biletave dhe trajektorja e linjave do të caktohen nga pushteti vendor. Biletat mund të jenë edhe në formatin elektronik, ndërkohë që bashkitë caktojnë vendin për terminalet

 

Ervin Kaduku

 

Autobusët dhe furgonët 8+1 nuk do t’i marrin udhëtarët në çdo vend, por në stacionet që do të miratojë secila bashki. Një projektligj, i përgatitur nga qeveria, parashikon se transporti ndërqytetas do të kryhet pa ndalime. Ndërkohë, është parashikuar që tarifat e udhëtarëve në linjat rrethqytetëse të mos vendosen më nga Këshilli i Ministrave, por nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore. Për linjat rrethqytetëse, ku përfshihen dy ose më shumë njësi administrative përbërëse ose fshatrave të bashkive të ndryshme, tarifat të vendosen me marrëveshje ndërmjet dy njësive të qeverisjes vendore.

 

Linjat

Në projektligjin që ndryshon rregullat lidhur me transportin e qytetarëve, i cili është paraqitur tashmë në Kuvend, thuhet se “linjat kryesore shërbejnë për të plotësuar nevojat e lëvizjes së popullsisë që lidhin bashkitë, si më poshtë vijon: Bashkitë qendër të qarqeve të ndryshme. Një bashki qendër qarku me bashkitë jo qendër qarku të një qarku tjetër ose dy bashki jo qendër qarku të qarqeve të ndryshme. Transporti në linjat kryesore kryhet pa ndalime ose me ndalime në stacionet e përcaktuara gjatë itinerarit të linjës. Linjat ushqyese lidhin dy bashki brenda një qarku me qëndrime në stacionet e përcaktuara gjatë itinerarit të linjës, të përcaktuara në rrjetin e linjave. Rrjeti i linjave ndërqytetase, stacionet e qëndrimit dhe numri i orareve për secilën linjë miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportin çdo tre vjet”, – përcakton projektligji.

Në akt është formuluar një përjashtim lidhur me linjat qytetase. Përjashtimi është parashikuar vetëm për Tiranën, e cila është edhe njësia më e madhe administrative dhe kufi me atë ndodhen disa njësi administrative përbërëse që janë zona shumë të zhvilluara urbane dhe industriale.

Kurse autoriteti përgjegjës për miratimin e rrjetit të linjave ndërqytetase është ministri, ndërsa për rrjetin e linjave rrethqytetase është këshilli i qeverisjes vendore ose i qarkut. Në ndryshim nga ligji ekzistues, në këtë nen është parashikuar që ndryshimet në rrjetin e linjave mund të bëhen çdo 3 vjet.

Terminalet
Gjithashtu parashikohet edhe mënyra se si do të funksionojnë terminalet. Terminali i autobusëve është infrastruktura e transportit që plotëson kushtet e nevojshme për mbërritjen dhe nisjen e autobusëve, hipjen ose zbritjen e udhëtarëve e të bagazheve të tyre dhe për shërbime të tjera që kanë të bëjnë me transportin e udhëtarëve dhe operatorëve të transportit rrugor.

Autorizimi për funksionimin e terminalit të autobusëve lëshohet nga kryetari i bashkisë, ndërsa vendi se ku do të ndërtohet terminali i autobusëve do të caktohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore. Tarifat e shërbimit për operatorët e transportit përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave.

 

Biletat
Çdo udhëtar pajiset me biletë për udhëtimin e përshkruar. Biletat blihen në terminalin e autobusëve, në autobus, në agjenci ose në çdo vend tjetër, të cilit operatori i transportit i ka dhënë të drejtën për shitje.
Udhëtari në autobus paraqet biletën e udhëtimit me kërkesë të personit të autorizuar nga operatori i transportit ose të organeve të kontrollit në rrugë.

Në projektligj janë parashikuar dispozitat për të gjitha llojet e biletave, duke parashikuar në këtë mënyrë edhe biletën elektronike, e cila mund blihet kudo. Në këtë mënyrë udhëtarëve iu krijohen lehtësira për pajisjen me biletë në çdo rast për të gjitha llojet e linjave dhe gjatësinë e udhëtimit që kryhet.