Surpriza e mbrëmjes, koncerti dhe performanca e John Newman-it, artisti që kryeson top-listat britanike
Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, ministra, por dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Socialiste dhe LSI-së u nderuan para monumentit “Nënë Shqipëri” në nderim të 28 mijë dëshmorëve të rënë për çlirimin e atdheut. Ndërkohë shumë qytetarë të kryeqytetit u janë bashkuar dhjetëra aktiviteteve të organizuara në segmentin nga hotel “Dajti” te sheshi “Skënderbej”, gjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes së djeshme në Tiranë. Qytetarët gjithashtu u bënë pjesë e festimeve për Natën e Bardhë. Bashkia e Tiranës organizoi dje ditën e tretë pa makina, ku bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u kthye në pedonale, nismë kjo që synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin të paktën për një ditë makinat e tyre, për ta çliruar nga kryeqytetin nga smogu. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falënderoi të gjithë qytetarët që zgjodhën të mos i përdornin makinat e tyre dhe që ndihmuan në oksigjenimin e qendrës së qytetit. Ndërkohë sipas kreut të Bashkisë të ë gjitha institucionet do të jenë të hapura, ndërsa lokalet dje kishin marrë leje për të vazhduar punën 24 orë, kjo pasi sot është ditë zyrtare pushim. “Është mirë për ekonominë e vendit për t’u njohur e takuar me njëri-tjetrin, më mirë sesa shkëmbehemi e rrimë me orët e tëra në trafik me makina. Javën e kaluar ne filluam një projekt të ri të sistemit të rrugëve të Tiranës ku kemi një korsi të veçantë për autobusët dhe biçikletat. Më shumë ditë pa makina dhe më shumë korsi për njerëzit që përdorin transportin publik ecjen ose biçikletën është edhe përgjigja shqiptare e samitit për ambientin që do të mblidhet këtë fundjavë edhe javën tjetër në Paris. Unë e di që shtete të ndryshme kanë preokupime të ndryshme, por kjo është mënyra jonë modeste se ne i përgjigjemi një axhendë”, – u shpreh Veliaj. Kryebashkiaku tha gjithashtu se pas përfundimit të festave bashkia do të nisë zbukurimin e qytetit, në 6 dhjetor, ku do të ndezim dritat në të gjithë qytetin. Siç ka ndodhur me të gjitha aktivitetet që kemi bërë deri tani ato sponsorizohen nga kompanitë, pasi besoj se bashkia që ka plot probleme të tjera dhe nuk duhet të harxhojë me festime”, – tha Veliaj. Gjatë gjithë ditës së djeshme bulevardi unaza e vogël, ka qenë i mbushura me aktivitete.
Festimet në mbrëmje
Ndërsa në mbrëmje u organizuan koncerte, muzikë, art, lojëra, filma dhe shumë argëtim. Surpriza e mbrëmjes për të gjithë qytetarët të cilët ishin të shumtë në numër, sidomos të rinjtë, ishte edhe prania e John Newman-it, artisti që kryeson top-listat britanike, i cili performojë më rastin e 29 nëntor në sheshin “Skënderbej”. Gjithashtu të pranishëm gjatë festimeve ishin edhe forca të shumta policore me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurimin e jetës së qytetarëve. Aktivitetet e Natës së Bardhës zgjatën deri në orët e para të mëngjesit.