Berati/Rama : Jemi pro ndryshimeve kushtetuese e do ta shohim se të kujt janë kriminelët

0
169

rrrrrrrrrrrrrrrr

 

 

Kreu i Qeverisë Edi Rama, i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit, ndodhet sot në Berat për të vijuar turin e qeverisë nisur në mbarë vendin me titull “Të pastrojmë Shqipërinë.”

Gjatë fjalës së tij, duke folur për reformat ai ka prekur ligjin e dekriminalizimit dhe ka gjetur rastin t’i nisë një mesazh, PD-së, duke bërë një aludim:  “Do të votohen ndryshimet kushtetuese, – tha Rama, –  dhe do ta shohim ku do jenë ata kriminelët që do kapë ligji.”

Rama,  para se t’ju drejtohej beratasve si Kryeministër dhe t’u fliste për reformat, siç ka bërë rëndom në qytete te tjera,  sot  iu është drejtuar atyre si Kryetar i Partisë Socialiste dhe ka ngulmuar në fjalën e tij në rëndësinë e hapjes së partisë dhe shtimin e anëtarësisë së saj, sidomos para qershorit 2016 që shënon 25-vjetorin e krijimit të kësaj partie.

Nga fjala e Kryeministrit Rama

“Hapja, zgjerimi, forcimi i PS-së po ndodh në një moment kyç për qeverisjen sonë. Pse është e nevojshme që në këtë moment të natyrshëm, zgjedhjesh dhe rioriganizimi, forca jonë politike të kapërcejë kufijtë ekzistues dhe të përfshijë në gjirin e vet, sa më shumë të reja dhe të rinj, burra dhe gra…?

Është e domosdoshme që organizatat socialiste të jenë strukura që të përfshijnë sa më shumë njerëz, të hapen ndaj njerëzve të punës, ndaj njerëzve që në jetën e tyre të përditshme janë shembull sesi gjërat bëhen me punë, me këmbëngulje.

Këtu kam parasysh edhe punëtorët në fabrikat e vogla që nuk mungojnë në këtë zonë, kam parasysh ata që PS ka detyrimin t’u trokasë në derë dhe t’u flasë në emër të PS-së për të mbështetur reformat tona.

PS nuk mund të jetë partia ku tema kryesore është “Dua një punë në shtet” apo “pse hyri në punë ky dhe nuk hyra unë”. Sepse ka një Shqipëri që ka nevojë për punë, por edhe një Shqipëri që punon që përbëhet nga komponentë të fortë që kanë halle e probleme, që lidhen me shumë aspekte të tjera të cilësisë së jetës, ndaj ne duhet të shohim me shumë këmbëngulje në këto dhe t’i japim mundësi strukturës sociale të PS-së të diversifikohet dhe të bëhet më e larmishme, që PS-ja në 25-vjetorin e saj qershorin e ardhshëm, të bëhet me 150 mijë anëtarë dhe të përmirësohet.

Dhe në këtë këndvështrim, të mos vëmë kufi moshe në anëtarësim dhe të fusim sa më shumë gra e vajza. Zgjedhjet e fundit treguan se ajo thënia “nuk ka gra në fshatin tonë” ishte një thënie burrash me një gotë rakie në dorë, sepse ato treguan se gratë ishin të pranishme kudo.

Gratë dhe vajzat kanë nevojë të ftohen dhe të afrohen duke iu dhënë besim dhe hapësirën që që ua kanë zënë burrat duke u vënë kurizin derës dhe PS-ja duhet të vazhdojë brenda vetes një process që e kemi bërë prioritar.

Kam dëgjuar shumë kukuvajka duke folur për këtë çështje se do të prishet sistemi dhe nuk luftohet informaliteti, ashtu sikundër e kundërta është e vërtetë si dhe me masat drastike për gjobat dhe ndëshkimet penale. Sepse vetëm në Shqipëri mund të bëhen të tilla. Gjobat dhe ndëshkimet janë të larta për ata që shkelin ligjin, që bëjnë evasion, kurse për ata që nuk e shkelin, gjobat nuk ekzistojnë.

Gjobat për semaforin, që në Shqipëri nuk i paguante askush. Do t’i vesh një gjobë, që paaftësia për të zbatuar ngjyrat, t’i kthehet në aftësi, ta dijë kush është e kuqja, e gjelbra apo e verdha. Dhe ja ku jemi sot, që shkelja e ligjit është kthyer në respekt dhe këtë e ka bërë ndëshkimi, që është shumë i lartë për ata që shkelin ligjin.

E njejta gjë dhe për biznesin. Si mund të bësh evazion e të mos ndëshkohesh?! Ndërkohë, çfarë kërkojmë ne nga biznesi i vogël që nuk ka taksë? Thjesht, asnjë kush financiar, por vetëm moral, një kupon tatimor që të jetë aleat i shtetit kundër informalitetit. Nëse një biznes i vogël refuzon të marrë mall pa faturë tatimore, i bëhet barrikadë evazionit dhe e detyron të madhin të respektojë ligjin.’

PUNESIMI

“Le të ndalemi tek papunësia.

Në librat zyrtarë të 2013-ës ishin 471 mijë të punësuar. Kush punonte në të zezë, nuk quhej dhe nuk quhet as sot, me standartet demokratike të punësimit. Është skllav, jo i punësuar. Dikush që jeton sot për sot me punën e përditshme sepse nesër nuk e di nëse i vjen mandata nga pronari, është skllav. Ndërkohë që në tetor kishim 201 627 mijë të punësuar. Janë vende të reja pune, vende pune të formalizuara dhe kur folëm për 300 mijë vende pune e kemi bërë të qartë që ekzistojnë jo si i llogariste Saliu që fuste dhe ata që ishin në bujqësi. Flasim për sektorin jobujqësor dhe të mos harrojmë flasin shumë dhe njesoj si për dritat dhe për taksat E më shumë bërtasin ata që nuk paguajnë as drita as taksa.

Më shkruajnë në FacEbook nga kafeneja “na rrite taksat, na mbyte” ata që nuk I kanë thënë asnjë ditë punës ‘mirëmëngjes’ se presin punë nga shteti. Nëse do punë, shko të punosh. Nëse do të lozësh letra në shtet, atëherë…

Ne ulëm taksat për 79% të shqiptarëve që punojnë dhe faktikisht, janë 230 USD të përfituara nga çdo individ që ka një rrogë dhe kjo ulje taksash e ka rritur pagën mesatare me 7.3% – rritja më  madhe e rrogave në krahasim me gjithë vitet e Saliut.

Ndërkohë që kukuvajkat bërtasin pse nuk na rrite rrogat kur gjithë rajoni i ka ulur, ne i ulëm përmes taksave. Dhe do vijë dita kur do t’i rrisim sepse reformat nuk bëhen të vuajmë pa fund, por që t’u japim fund vuajtjeve. Është si një trup i sëmurë me kancer që ta lësh të vdesë pa terapi. Kanceri kishte hyrë në çdo sektor dhe këtë kancer luftojmë ne sot.

Natyrisht që nëse më pyesni a duhet të jeni i umtur me këtë që kemi, unë them “jo”, se nuk mund të jem në kushtet kur tu them njerëzve të jenë të gëzuar për transformimin që luftojmë përditë, por ajo që them është se jemi në rrugën për t’ia dalë sepse po bëjmë operacionet e duhura, të dhimbshme, por të duhura.

Ju kujtohet se ç’propagandë e shfrenuar për çmimin e energjisë, të dalim në revolucion, në kryengritje kur çmimi mesatar ishte 10.5 dhe sot është 9.5.

Ky popull nuk është një tufë delesh dhe faturat i ka në shtëpi si më parë; kemi vënë në dispozicion 16 milionë USD për heqjen e fashës së famshme të familjeve në nevojë që u kthyer në strehë për gjithfarë mashtruesisht dhe spekulantësh me vila që paguanin si familje në nevojë.”