Përgjatë 45 viteve të diktaturës 91 gra u pushkatuan, 4465 gra u burgosën, 7 gra vdiqën në burg nën tortura çnjerëzore, 35 gra përfunduan në psikiatri dhe 9322 gra u internuan dhe dëbuan.
Por duket se ansnjëherë nuk kemi për të patur të saktë numrin e grave të përdhunuara dhe abuzuara seksualisht nga hetuesit dhe punonjësit e Sigurimit të Shtetit.
Gjithsesi në studion e emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku janë dhënë tre dëshmi rrënqethëse që vijnë për here të parë.
Shkrimtarja Meri Lalaj, e cila ka qenë e internuar në një fshat të Kavajës dëshmoi se gjatë kohës së internimit të saj, atje ishte përdhunaur një vajzë 15 vjece nga oficerët e sigurijmit të asaj kohe dhe kjo vajzë, pas përdhunimit, vrau veten.
Studiuesi historian dhe i përndjekuri politik Agim Musta tregoi se numri i grave të përdhunuara në internim ka qenë i madh dhe kjo faktohet edhe sot në krahasim me fshehjen që i bëhej përdhunimeve në qeli.
Por fakti më i bujshëm u dha nga akademiku dhe historiani i njohur Apollon Baçe.
Baçe tregoi publikisht për shefin e një dege të punëve të brendshme të asaj kohe që kishte pasion pikturën dhe pikturonte nudo të gjitha gratë dhe vajzat që ishin të burgosura në qelitë e degës që drejtonte.
Apollon Baçe tha se dispononte fakte mbi gjeneralitetet e këtij shefi dege dhe të dhëna të pakundërshtueshme për përversitetin e tij që pasi i dhunonte gratë në qeli i pikturonte nudo.