Një aksion antiterrorizëm është ndërmarrë nga policia italiane në Breshia, në bashkëpunim me policinë kosovare, që ka çuar në një sërë arrestimesh. Në pranga kanë përfunduar disa shtetas kosovarë, të konsideruar si përgjegjës për “apologji të terrorizmit” dhe “nxitje të urrejtjes racore”, bëjnë të ditur mediat italiane. Sipas autoriteteve italiane, operacioni i koduar me emrin “Van Damme” ka mundësuar shpërbërjen e një grupi terrorist, që përmes internetit dhe rrjeteve sociale propagandonte ideologjinë xhihadiste. “Ata kërcënonin Papa Françeskun, mbështesnin atentatet e fundit në Paris dhe kërcënonin edhe ish-ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Kosovë”, – ka deklaruar Carmine Esposito, kuestor i Breshias. Sipas zyrtarit të lartë, në përgjimet e kryera është konstatuar fraza “ky do jetë Papa i fundit”, ndërsa në banesat e kontrolluara në Kosovë në kuadër të aksionit të përbashkët janë gjetur edhe armë zjarri. “Aksioni i kryer në orët e natës është një operacion i koordinuar nga Prokuroria e Breshias, njësia policore e specializuar DIGOS dhe Drejtoria Kombëtare e Antiterrorizmit në Kosovë. Bëhet fjalë për taktika tipike të terrorizmit islamik, kryesisht me propagandë, rekrutim të luftëtarëve dhe financim të Shtetit Islamik. Akuzat ndaj këtyre personave janë “apologji e terrorizmit” dhe “nxitje të urrejtjes racore””, – ka saktësuar zyrtari. Personi i konsideruar si “truri” i këtij grupi, një shtetas kosovar që ka jetuar për një kohë të gjatë në Itali, është arrestuar në Kosovë nga autoritetet vendase, ndërsa 3 të tjerët janë arrestuar në Itali, ku jetonin prej kohësh. Autoritetet italiane kanë kryer njëkohësisht një seri kontrollesh në qytetet Breshia, Viçenca dhe Peruxha, vijojnë më tej burimet. Aksioni është ekzekutuar pas një hetimi të gjatë, që ka nxjerrë në pah “tregues të rrezikshëm të fanatizmit fetar në ngarkim të grupit kriminal, anëtarët e të cilit publikonin në internet foto me armë dhe sjellje tipike të luftëtarëve të Shtetit Islamik”, – thuhet në një njoftim të policisë italiane.