“Sot një tjetër diktaturë kërcënon shqiptarët, rrezikon, ndrydh, shkatërron të ardhmen e tyre, të sotmen e tyre. Kjo është diktatura e krimit, kjo është diktatura e korrupsionit, kjo është diktatura e papërgjeshmërisë, e arrogancës, e harbutërisë dhe e batërdisë që e ka emrin Edi Rama dhe Ilir Meta”. Kështu deklaroi kreu i Partisë demokoratike Lulzim Basha në Konventën e 19 dhe të parafundit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike që u zhvillua në qytetin e Fierit.
Ai theksoi se shqiptarët po vuajnë çdo ditë e më shumë krizën e rëndë ekonomike dhe taksat e larta të qeverisë, prandaj është e nevojshme që të gjithë së bashku ti thonë stop të keqes.
“Sot nje tjetër diktaturë kërcënon vëndin, diktatura e krimit, diktatura e korrupsionit, diktatura e papërgjeshmërisë, e arrogancës, e harbutërisë dhe e batërdisë që e ka emrin Edi Rama dhe Ilir Meta. Siç raportonte sot media më prestigjioze në botë, BBC shqiptarët kanë ngritur gishtin dhe fajësojnë Edi Ramën njësoj siç fajësonin Enver Hoxhën. Dhe ky nuk po i lë gjë mangut me kërbaçin e ngritur dhe trajtimin e sipërmarrjes si armike. Nuk po i lë gjë mangut me përbuzjen dhe rishpronësimin e pronarëve. Nuk po i lë gjë mangut me shkeljen dhe burgosjen e të përndjekurve. Nuk po i lë gjë mangut me censurën, me poshtërimin, me mashtrimin ndaj rinisë studentore, me një palo ligj që do ta hedhim një orë e më parë në koshin e mbeturinave. Nuk po i lë gjë mangut në adhurimin e xhelatëve të diktaturës, e ka marrë edhe ky rrugën e Enverit. Me 8 dhjetor t’i japim shtysën e fundit”, u shpreh Basha.
Kreu i opozitës ftoi të gjithë shqiptarët që të bashkohen në protestën e 8 dhjetorit, për ti thënë stop keqqeverisjes. Ndërsa theksoi se protesta e 8 dhjetorit nuk do të jetë dosido, por një protestë e cila do të largojë Ramën dhe hajdutët e kësaj qeverie nga pushteti.
“Përballja e 8 dhjetori nuk është një protestë dosido. Ne do të mblidhemi për t’i dhënë shqiptarëve zgjidhjen, dhe zgjidhja është largimi i qeverisë së kusarëve, largimi i Edi Ramës dhe 40 hajdutëve dhe hapja e një rruge të re për Shqipërinë”, tha më tej Basha.
Ndërkohë kreu i opozutës vlerësoi garën në forumin rinor të PD-së, ndërsa inkurajoi të rinjtë që ti bashkohen opozitës.