Një histori e rrallë e artistit Adriatik Rrasa nga fshati Babunjë që po “rikthen” qytetin antik të Arnisës qendër e taulantëve në rrethin e Lushnjës
Adriatik Rrasa është një njeri i çuditshëm. Punëtor i rrallë dhe artist me kurajo e pasion. Njeri që ka ëndërruar dhe që ka bërë mrekullira me duart e tija, për ti sjellë në realitet ato që ka ëndërruar. Pasi më kishin rënë në duar disa fotografi dhe jua tregova disa kolegëve gazetarë në Tiranë, të gjithë u mahnitën dhe vendosën që të shkonim në studion e tij për t’i parë nga afër. Por siç ndodh rëndom kur kërkohet që personazhet të “ gjuhen” pa shumë mundim në Tiranë, rrugëtimi drejt zonave të Karavastasë ku banon Adriatiku, u shty. Pas një takimi të mëvonshëm me të, do të ndjeja mahnitje për një pune voluminoze masive të gdhendjes në gur. Askush s’ka ngritur një atelie të hapur në natyrë me dimensione të mëdha të ndara në panele të përshkrimeve historike dhe të artit antik të riprodhuar në gdhendje në gur. Dhe tërësisht me shpenzimet e veta dhe mundin e tij. Thjeshtë i nisur nga pasioni për të krijuar diçka të veçantë, ku të derdhë lirshëm idetë që i lindin në kokë dhe ti ngjallë në realitet. Para kësaj pune të galerisë së hapur në natyrë, në fshatin fqinj me vendbanimin e Rrasës, në Muçijas në një derë lokali të pret një “ushtar” antik, me shtizë në dorë. Dera është prej druri të trashë dhe ushtari duket si natyral, si i sapo dalë nga hapësirat historike. Dera e madhe e gdhendur me një ushtar antik të plotë në dimensione, duket si ekran që revokon pamjet e vjetra të filmave me tema trojane, me motive homerike. Por kur hyn në banesën e artistit të veçantë, ndjen se ky ushtar antik është thjeshtë pararoja e një ushtrie tjetër. Një tryezë e gdhendur në dru të trashë si ai i ushtarit, një kolltuk me të njëjtin stil me koka luanësh dhe mbi të gjitha një djep i rëndë me shqiponjën 2-krenore, në të cilin ai ka përkundur dhe rritur 2 fëmijët e tij… Miqtë e tij, na thonë se ai ishte një mjeshtër i gdhendjes dhe se kishte bërë kushedi sa mobilie dhe kishte arreduar mjaft banesa luksoze të tregtarëve dhe politikanëve të pasur të Tiranës…Pasi del nga banesa, të shfaqet surpriza tjetër. Një atelie artistike në natyrë në mjediset e pasme të oborrit të vet.
Shtëpia e surprizave artistike
Ti pret të hysh në një banesë të zakonshme fshati, por realisht ke hyrë në një shtëpi surprizë. Në një mjedis muresh të gurta që të fusin në një botë shumë shekullore. Skulptura, shumë skulptura. Një kokë krevati në punim e sipër, me figura druri të gdhendura me skulptura të Herkulit dhe Afërditës. Nga ajo te muret e larta dhe të armuara me armë të vjetra. Imitime të Pirros së Epirit, Aleksandrit të Madh, monedhave të gurta të emetuara në Durrës dhe Apoloni. Një kokë e gurtë Zeusi e riprodhuar mjeshtërisht që është gjendur në zonën e Mallakastrës. Objekte gjithfarësoj. Më tej në një mur tjetër ndodhen skulptura të Naim Frashërit dhe figurave të shquara të artit dhe kulturës sonë në shekuj. Janë panele të ndryshme, thotë Adriatiku, në të cilat kam përgjithësuar mes të tjerave Panelin e Artit dhe atë të Historisë. Ai ka pasqyruar realisht mitologjinë e lashtë iliro-pellazge si dhe objekte të mitologjisë së vendeve fqinje të kulturës greko-romake, që kanë dalë nga gërmimet arkeologjike në vendin tonë.
“Është një punë disa vjeçare, thekson Rrasa, që tregon një pikësynim timin. Është konkretizimi i vizioneve të mia artistike për të cilat kam harxhuar shumë kohë dhe mund. Kështu kam dashur të përshkruaj në pak metra katrorë edhe historinë, edhe artin e trevës sonë. P.sh në anën e djathtë kam konstruktuar panelin e antikitetit, ku ndodhen Afërdita dhe Apoloni. Është gdhendur emri i Arnisës, një vendbanim i para erës sonë, që ndodhet në kodrinën në afërsi të fshatit, për të cilin është menduar si i themeluar nga grekët, por që rezulton të jetë Ilir, pasi kështu flasin qartë edhe të dhënat e fundit arkeologjike të nxjerra nga disa ekspedita. Pra këto themele dhe ky qytetërim i vjetër është Ilir”.
Në të gjithë sipërfaqen e mureve janë riprodhuar rreth 40 objekte historike të gjetura në gërmimet arkeologjike të vendit tonë. Ai ka punuar edhe në gdhendje druri dhe guri, por pasioni për gurin sikur është më i madh, pasi edhe themelet e Arnisës që ruajnë të dokumentuar historinë shumëvjeçare Ilire janë prej guri. Në unitet me muret e Arnisës në një kodër të butë të Babunjës janë edhe objektet e gdhendura në këtë muze natyror si dhe mbiemri i Adriatikut, Rrasa. “Më pëlqen pavdekësia, thekson ai, dhe kështu guri mbetet më i preferuari. Guri është një punë që flet vetë. Pastaj zona e jonë ka pasur traditë edhe gurin edhe drurin, por edhe qeramikën, prandaj unë edhe muret i kam dekoruar me qeramikë”. “Të tre këto komponentë së bashku, po të harmonizohen me shije, mund të nxjerrin punime të klasit të lartë”, thekson artisti kurajoz, një poet i veçantë i gurit dhe i drurit…banor i Babunjës, ku ndodhet vendbanimi i lashtë njohur me emrin Arnisa.
Qyteza e lashtë në Babunjë
Sipas Strabonit, Geografia, Lib.8, koordinatat gjeografike të Arnisës jepen duke theksuar se ajo ndodhet në tokën e Taulantëve. Arkeologu H. Ceka këtë qytezë e lokalizon në fshatin Babunjë e Re në rrethin e Lushnjës. Gërmimet e para arkeologjike u bënë në vitet ’89. Aty arkeologët zbuluan pjesë të një muri protourban, që daton në fillim të periudhës së Hekurit të Hershëm. Në pjesën e sipërme të kodrës u zbuluan gjithashtu parete enësh qeramike të shek. VII-V p.e.s. Arkeologët zbuluan gjithashtu themelet e murit fortifikues të “qytezës” i datuar në shek. IV p.e.s. Sipërfaqja e “qytezës” zinte rreth 2.3 ha. Qyteti, zhvillimin më të madh të tij e pati në shek. IV-III p.e.s. Qeramika e gjetur në gjithë hapësirën e vendbanimit daton në këtë periudhë.