Edi Rama preferon të punojë me gra dhe vajza, në vend të burrave. Gjatë një aktiviteti për barazinë gjinore, Rama tha se burrat shqiptarë dinë të justifikohen shumë mirë për gjërat që nuk i bëjnë, në diferencë nga gratë.
“Realisht burrat dallohen për aftësinë që kanë për t’i thënë gjërat, sidomos kur duhet të justifikohen, pse nuk i bëjnë gjërat. Kurse gratë dallohen për aftësinë që kanë për të bërë gjërat dhe për një diferencë të madhe me burrat kur është fjala për t’u justifikuar. Pra justifikohen shumë më pak dhe bëjnë shumë më shumë.”
Nënvlerësimin për burrat shqiptarë, kryeministri Edi Rama e ilustroi edhe me epitete të pazakonta për një kryeministër:
“Burrat janë përgjithësisht dembelë dhe parazitë, kurse gratë janë përgjithsëisht punëtore dhë të afta për të kompensuar parazitizmin e burrave të tyre. Mos më shikoni me habi. E ka thënë Çajupi shumë kohë më parë, atëherë kur të tjerët e dinin, por nuk guxonin ta thonin” u shpreh kreu i qeverisë.
Rama foli edhe për legjislacionin dhe lejen e lindjes që përfitojnë edhe burrat. Kryeministri mori si shembull punonjësit tatimorë që sipas tij sapo nisi lufta ndaj informalitetit morën lejen e lindjes.
“…Ka shumë raste kur burrat marrin leje lindje. E kam vënë re tani që ndërmorrëm luftën kundër informalitetit, ku shumë inspektorë tatimorë ikën me leje lindje”, tha Rama i cili shpjegoi se leja është marrë për të mos u përballur me bizneset që duhet të kontrollonin, ato me të cilat kishin “flirtuar” më parë.