Kreu i PD: Mashtrimi është pafytyrësia e Ramës, krimi në qeverinë e majtë është ngritur në pushtet
Gëzim Saliu
Në Konventën finale në Tiranë në kuadër të garës për kreun e FRPD-së, kreu i demokratëve Lulzim Basha bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen me protestën e opozitës në 8 dhjetor për largimin e qeverisë. I drejtpërdrejtë në fjalën e tij, kryedemokrati përcolli para të rinjve edhe formën se mund të largohet qeveria aktuale përmes protestës duke sjellë edhe shembullin e tubimeve në Rumani e Maqedoni. “8 dhjetori është ditë e historisë, është ditë e kujtesës dhe e nderimit. Por 8 dhjetori që vjen është dhe dita për të bërë sërish histori, është dita e marshimit të madh të protestës, dita e zbritjes masive popullore në sheshin “Skënderbej” dhe marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Është dita për largimin, është dita për shkarkimin e qeverisë së katastrofës kombëtare Rama-Meta. Ndaj me 8 Dhjetor nisim maratonën e përballjes pa kthim për zgjidhjen, për largimin e qeverisë të ditëve gjithnjë e më të zeza. Si do ta bëjmë ?! Kush do ta bëjë?! Qytetarët do ta bëjnë. Populli mund dhe populli do ta bëjë me pjesëmarrje masive e mbarëpopullore në protestë, me vendosmëri, me qëndrueshmëri, pa u lodhur asnjë çast deri në realizimin e objektivave tona. Qytetarët e bashkuar janë fuqia supreme në demokraci. E ka treguar bota demokratike. E treguan fqinjët tanë në Rumani e Maqedoni. Do ta tregojnë edhe shqiptarët”, deklaroi Basha. Ndërkaq duke mbetur tek dita e Rinisë, lideri i opozitës tha se në të kujtohen heronjtë e demokracisë me në krye Azem Hajdarin që i dhanë fund 25 vite më parë diktaturës më të egër komuniste në Europë. “Nderim për ata studentë, nderim për intelektualët, për Sali Berishën, për Gramoz Pashkon, për dhjetëra e qindra intelektualë e studentë. Kemi marrë vendim të nisemi e mos të ndalemi. Të nisemi me rininë e Tiranës, të nisemi me rininë e gjithë Shqipërisë. Protesta dhe marshimi popullor me 8 Dhjetor nuk është vetëm nderim, nuk është vetëm protestë por është përgjigja popullore kundër qeverisë më të dështuar e më të korruptuar në histori. Ju do ta çlironi Shqipërinë me 25 vite më vonë, ju jeni përsëri shpresa dhe pararoja jonë”- deklaroi ai.
Akuzat për qeverinë
Sipas Bashës janë të shumta arsyet e protestës për largimin e qeverisë dhe në fjalimin e tij para të rinjve demokratë të kryeqytetit ai renditi disa shtresa të prekura nga politikat e mazhorancës së majtë. “Të mashtruar ushtria e të papunëve shqiptarë e cila sa vjen e shtohet e bashkë me të shtohet çdo natë dëshpërimi, pasiguria për bukën e gojës, për bukën e përnatshme të fëmijëve të tyre. Të lënduar fermerët shqiptarë të cilët janë lënë në mëshirë të fatit, në mëshirë të motit, madje edhe më keq edhe atëherë kur ja dalin me punën e tyre. Të cenuar mijëra studentë anembanë Shqipërisë, të goditur dinjitetin e tyre nga fjala e dhënë dhe fjala e ngrënë nga pabesia e Edi Ramës me ligjin korruptiv për arsimin e lartë. Të poshtëruar, e të goditur pronarët me skemën kriminale të rishpronësimit të tyre pas 70 viteve nga dita e atyre që i shpronësuan me terror me ardhjen e diktaturës komuniste. Poshtëruar dhe nëpërkëmbur të përpjekurit, të afërmit e të cilëve janë rivrarë nga Edi Rama me dekorimin që u bëri torturuesve, ekzekutorëve dhe xhelatët e diktaturës”, theksoi ai. Më tej kryedemokrati tha vendi është i varfëruar së tepërmi me një ekonomi në rënie, pa kreditim, pa investime, pa konsum, pa punësim. “Të vjedhur të gjithë në taksa dhe tarifa që nuk shkojnë në buxhet por zhduken në xhepat e kontrabandistëve të një grushti qeveritarësh të lidhur me ta. Të vjedhur në tendera dhe prokurorime të drejtpërdrejta për papulë e carapulë, e Kokëdhimë, e Beqaj, e Tahirë, e Ahmetaj dhe bandën e 40 hajdutëve të Edi Ramës. Të harruar janë pensionistët në varfërinë e pasigurive të tyre që është e vetmja gjë që shtohet ndërkohë që vlera e pensionit dhe fuqia blerëse bie, vetëm bie. I goditur, i trembur, i nëpërkëmbur biznesi nga tatimet, nga gjobat, nga taksat, nga kërcënimet, nga inspektorët, nga zuzarët që nuk kanë të sosur ditë për ditë. Mashtrimi është pafytyrësia e Edi Ramës. Vjedhja është krim, është krimi i qeverisë së Edi Ramës dhe krimin e kanë ngritur në sistem, e kanë bërë njësh me pushtetin dhe vetë janë bërë njësh me krimin”, deklaroi kreu i PD-së.