Pas një Vendimi të Këshillit të Ministrave, që ofron 12 milionë lekë të reja deri në fund të këtij viti për aktivitetin e informacionit për evazione të ndryshme fiskale, ministri i Financave ka përcaktuar edhe hollësitë lidhur me shpërblimin për secilin informator. Udhëzimi ka hyrë pasi është publikuar edhe në “Fletoren zyrtare”.
Udhëzimi
Ky udhëzim ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe të masës së shpërblimit të informatorëve të jashtëm për shkeljet e dyshuara dhe të vërtetuara në fushën e përdorimit të pajisjeve fiskale nga subjektet tatimpaguese dhe përcaktimin e procedurës dhe masës së shpenzimit të lejuar për blerje të mallrave dhe të shërbimeve në subjektet tatimpaguese nga ana e punonjësve të administratës tatimore me qëllim verifikimin në vend të subjekteve tatimpaguese për përdorimin e pajisjeve fiskale.
Rastet kur informacioni quhet i vlefshëm
Strukturat e hetimit tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe në rajone dhe drejtoritë rajonale tatimore caktojnë një person kontakti përgjegjës për regjistrimin dhe ndjekjen e denoncimeve. Të drejtën e përfitimit të shpërblimit e kanë vetëm informatorët që paraqiten fizikisht pranë administratës tatimore për raportimin e shkeljeve në fushën e përdorimit të pajisjeve fiskale. Denoncimet e tjera, të bëra nëpërmjet linjës telefonike, në rrugë elektronike apo shkresore, pa paraqitjen fizike të personave, trajtohen në përputhje me rregullat në fuqi, por nuk janë objekt të përfitimit të shpërblimit monetar. Pas ezaurimit të procedurës së verifikimit, në rastet kur denoncimi rezulton i vërtetë, punonjësi i autorizuar kontakton denoncuesin, duke kërkuar prej tij të dhënat e numrit të llogarisë për të kryer pagesën sipas shtojcës 1 që i bashkëlidhet këtij udhëzimi. Denoncimi do të konsiderohet i vërtetë vetëm nëse strukturat kompetente të administratës tatimore, pas verifikimit në vend dhe mbajtjes së aktkonstatimit, kanë lëshuar procesverbalin përkatës të gjobës ose të sanksioneve sipas parashikimeve të legjislacionit tatimor në fuqi. Procedura e verifikimit të denoncimit nuk mund të zgjasë me tepër se shtatë ditë kalendarike.
Shpërblimi
Urdhri për ekzekutimin e shpërblimit në lekë, nga fondi i vënë në dispozicion për këtë qëllim, sipas udhëzimit, ekzekutohet për çdo denoncim të verifikuar në masën 5.000 lekë. Personi, i cili ka marrë dijeni për shkeljet në përdorimin e pajisjeve fiskale për shkak të detyrës nuk gëzon të drejtën e përfitimit të këtij shpërblimi.
“Hiletë”
Ministri i Financave Shkëlqim Cani jep mundësinë që punonjësit e kontraktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me qëllim verifikimin në vend të subjekteve tatimpaguese për përdorimin e pajisjeve fiskale, kanë të drejtë të kryejnë transaksione blerjeje mallrash apo shërbimesh me fonde nga fondi i miratuar për këtë qëllim.
Pra, “spiuni” mund të kryejë blerje për të verifikuar në se procedura nga biznesi do të jetë e saktë apo jo. Punonjësi i autorizuar për të kryer transaksione, realizon blerje mallrash apo shërbimesh vetëm në rast se ka krijuar paraprakisht bindjen se tatimpaguesi nuk ka instaluar apo nuk përdor pajisjen fiskale. Nëse subjekti tatimpagues nuk lëshon kupon tatimor, në bazë të legjislacionit tatimor në fuqi, punonjësi lejohet të mos kryejë pagesën për vlerën e mallit ose shërbimit të marrë. Në rast të vërtetimit të këtij fakti, punonjësi i autorizuar për kryerjen e transaksioneve prezantohet dhe mban në ambientet e tatimpaguesit aktkonstatimin përkatës, që vërteton gjendjen e faktit. Një kopje e këtij aktkonstatimi i përcillet, për veprime të mëtejshme, drejtorisë rajonale tatimore përkatëse ku është regjistruar tatimpaguesi.
Në rastin kur punonjësi i autorizuar për kryerjen e transaksioneve, për mallin ose shërbimin e marrë, pajiset nga tatimpaguesi me faturë të thjeshtë tatimore, kupon jofiskal ose çdo dokument tjetër të pamiratuar, atëherë ai prezantohet dhe mban në ambientet e tatimpaguesit akt konstatimin përkatës, që vërteton gjendjen e faktit. Një kopje e këtij akt konstatimi i përcillet për veprime të mëtejshme Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse ku është regjistruar tatimpaguesi. Punonjësit, të autorizuar për të kryer transaksione, i kalon si parapagim një vlerë monetare në llogarinë e tij bankare, të cilën mund ta shpenzojë në ambiente tregtimi mallrash apo shërbimesh. Mallrat e blera nga punonjësit e autorizuar për të kryer transaksione trajtohen në përputhje me rregullat në fuqi për mallrat e konfiskuara. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raporton pranë Ministrisë së Financave lidhur me ecurinë e zbatimit të këtij udhëzimi dhe fondet e shpenzuara të paktën një herë në muaj.