Ambasada e Shteteve të Bashkuara reagoi dje ndaj protestës së organizuar nga opozita duke dënuar ato që i cilësoi si akte dhune kundër strukturave dhe pronës publike. Në reagimin e saj, selia diplomatike më e rëndësishme në vend i bëri thirrje PD-së që ti hedhin poshtë aktet e ndodhura gjatë protestës duke marrë masa që protestat e ardhshme të jenë paqësore. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon dhunën e ndodhur gjatë protestës së sotme në Tiranë. E drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar paqësisht është simboli i një shoqërie të lirë dhe të shëndetshme. Sidoqoftë, akte të tilla si hedhja e gurëve, vënia flakë strukturave dhe dëmtimi i pronës publike nuk përputhet me vlerat demokratike. I bëjmë thirrje Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të gjitha partive të tjera t’i hedhin poshtë këto akte dhe të marrin të gjitha hapat e nevojshëm për t’u siguruar që në të ardhmen protestat të mbeten paqësore dhe konstruktive”- thuhej në reagimin e ambasadës. Edhe Ambasada e Bashkimit Europian në Tiranë reagoi për protestën duke u shprehur se kthimi te dhuna është i papranueshëm. “Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ndoqi nga afër tubimin e organizuar nga partitë opozitare sot në Tiranë. E drejta e qytetarëve për të shprehur shqetësimet dhe pakënaqësinë përmes protestës paqësore është një tipar thelbësor i demokracisë moderne evropiane dhe si e tillë duhet ruajtur. U raportua një numër aktesh dhune dhe vandalizmi. Kthimi te dhuna është i papranueshëm”. Më tej delegacioni i BE në Shqipëri apeloi për dialog politik konstruktiv. “Shqipëria përballet me një agjendë të vështirë reformash në lidhje me procesin e integrimit të saj evropian. Ne u bëjmë thirrje gjithë partive dhe nëpunësve publikë, përfshirë veçanërisht opozitën, që ta dënojnë dhunën dhe të angazhohen në një dialog politik konstruktiv.”
Reagimi i Veliajt
Ndërkaq lajmi “suprizë” i ditës së djeshme ishte gjoba që Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Erion Veliajt i vendosi Partisë Demokratike për dëmet e shkaktuar në protestë. Përmes një letre drejtuar kryedemokratit Basha, Veliaj ka bërë bilancin e dëmeve të shkaktuara në kryeqytet duke marrë më pas vendimin për masë ndëshkimore me gjobë ndaj PD-së. Bashkia e Tiranës e ka vlerësuar 16,37 mln lekë dëmin, duke i kërkuar Partisë Demokratike ta paguajë këtë vlerë brenda 7 ditësh pa kamatë vonesa, ndërsa gjoba është vendosur në emër të Kryetarit të kësaj Partie, Lulzim Basha. Ndaj këtij subjekti, Veliaj paralajmëroi një bllokim të llogarive bankare nëse shuma nuk paguhet brenda 30 ditësh.