Jo vetëm besimtarët katolikë, por qytetarë të të gjitha besimeve fetare kanë bërë dje homazhe në Katedralen e Shën Palit për Imzot Rrok Mirditën, ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare. Krerët e besimeve të tjera fetare, gjithashtu, bënë homazhe për kreun e Kishës Katolike, që ndërroi jetë dy ditë më parë. Krerë të institucioneve, politikanë e diplomatë nga Tirana e Kosova bënë homazhe gjithashtu. Imzot Rrok Mirdita nuk u shërbeu vetëm katolikëve shqiptarë, por edhe harmonisë fetare, tha presidenti i Republikës Bujar Nishani, që e cilësoi Arqipeshkvin e Tiranës dhe Durrësit si prelatin e lartë që tregoi përkushtimin e mahnitshëm për vlerat e Krishtërimit, mirëkuptimit dhe vëllazërisë. Me një përkushtim njerëzor dhe hyjnor ia doli të rindërtojë vlerat morale dhe materiale të kishës, ishte vlerësimi i ish kryeministrit Berisha që i shtoi kësaj faktin se Imzot Rrok Mirdita u bë protagonisti i dy ngjarjeve historike për vendin, vizitat e dy papëve në Shqipëri. Rrok Mirdita lindi në Këllezen të Ulqinit më 28 shtator 1939. Pas studimeve filozofike dhe teologjike ai u shugurua meshtar më 4 korrik 1965 dhe deri në 1973 shërbeu në Tivar, ndërsa për vite me radhë do të shërbente për shqiptarët në SHBA, pa u shkëputur nga Shqipëria që vuante vitet e egra të komunizmit. Në 1992 Papa Gjon Pali II e emëron Arqipeshkëv i Durrës – Tiranë. Në Shqipëri ai iu përkushtua për ngritjen shpirtërore dhe promovimin njerëzor të popullit të dalë nga regjimi që i dha fesë përndjekjen më të pashembullt ndër regjimet diktatoriale. Për shërbimin e tij në ndihmë të vendit që vuajti tranzicionin e gjatë, Imzot Rrok Mirdita u nderua me disa çmime, që nga titulli “Qytetar nderi”, te Urdhri “Nënë Tereza”, Urdhri “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Harmonia fetare ishte një nga vlerat me të çmuara që promovoi Imzot Rrok Mirdita.