lista e mjekeve
Dokumentet, procedurat dhe mënyra se si do të vlerësohen kandidatët që i nënshtrohen këtij testimi
Dori Hoxha
Publikohet lista me emrat e mjekëve të përgjithshëm, të cilët do t’i nënshtrohen provimit të shtetit në dhjetor 2015. Njihuni me procedurat, dokumentet, rregulloren dhe mënyrën se si Komisioni i Provimit të Shtetit do të kryejë procesin e vlerësimit
Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë ka publikuar listën me emrat e të gjithë mjekëve të përgjithshëm, të cilët do t’i nënshtrohen provimit të shtetit. Mjekët të cilët gjejnë emrin në listë do t’i nënshtrohen provimit në këtë muaj (dhjetor 2015), ndërsa Agjencia Kombëtare e Provimeve pritet që brenda kësaj jave të publikojë kalendarin e datave të provimeve për profesionin e mjekësisë. Ndërkohë mjekët e rinj fillimisht i janë nënshtruar fazës së regjistrimeve, e cila ka përfunduar me 13 nëntori. Kalimi me sukses i Provimit të Shtetit u jep mundësinë kandidatëve të ushtrojnë profesionin, ndërkohë që mbetësit nuk e kanë këtë të drejtë. Sipas UMSH-së, në Provimin e Shtetit kanë të drejtë të hyjnë të gjithë mjekët e diplomuar që janë regjistruar provizorisht te Këshilli Kombëtar dhe kanë përfunduar praktikën profesionale 3 muaj, të parashikuar në rregulloret e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë.
Dokumentet
Për paraqitjen në qendrat e provimit kandidatët duhet të jenë të pajisur me letërnjoftim ose pasaportë në provimin e shtetit dhe me vërtetim regjistrimi dhe mandatin e pagesës së tarifës së provimeve të shtetit. Sakaq, kandidatët duhet të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit. Rregullorja ndalon marrjen me vete dhe përdorimin e celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi. Gjithashtu ndalohet duhani, dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit, si dhe komunikimi gjatë zhvillimit të provimit
Udhëzimi
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit pyetjet e provimit janë në kompetencë të Komisionit të Provimit të Shtetit. Pyetjet e provimit të shtetit janë me alternativa. Vetëm një nga alternativat është përgjigje e saktë. Pyetjet shfaqen në monitorin e kompjuterit të kandidatit dhe me një klikim zgjidhet pyetja e dëshiruar. Pas dhënies së përgjigjes, në monitor shfaqet njoftimi “Zgjidhni pyetje tjetër!” Në monitorin e kompjuterit shfaqet edhe koha e mbetur në dispozicion, deri në përfundimin e provimit. Gjithashtu sipas udhëzimit të MAS, koha e provimit përfundon kur në monitor shfaqet tabela përmbledhëse e dhënies së përgjigjeve e ballafaquar me përgjigjet e sakta, sasinë e pikëve si dhe përqindja e pikëve të grumbulluara.
Vlerësimi
Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit përcakton se brenda 1 jave nga përfundimi i provimit, kryen vlerësimin e kandidatëve nga Komisioni i Provimit të Shtetit. Nëse të gjitha pyetjet janë me alternative, kandidatit mund t’i printohet menjëherë certifikata me rezultatin e provimit të shtetit. Provimi me shkrim vlerësohet si i kryer me sukses, nëse kandidati merr jo më pak se 50% të pikëve të mundshme. Për vlerësimin e provimit të shtetit përdoret kjo përllogaritje: a. Kandidati vlerësohet me notën 10 (shkëlqyeshëm), nëse merr 95-100% të pikëve; b. Kandidati vlerësohet me notën 9 (shumë mirë), nëse 85-94% të pikëve; c. Kandidati vlerësohet me notën 8 (mirë), nëse merr 75-84% të pikëve; ç. Kandidati vlerësohet me notën 7 (kënaqshëm), nëse merr 65-74% të pikëve; a. Kandidati vlerësohet me notën 6 (mjaftueshëm), nëse merr 55-64% të pikëve; b. Kandidati vlerësohet me notën 5 (kalueshëm), nëse merr 50-54% të pikëve; c. Kandidati vlerësohet me notën 4 (jokalueshëm), nëse merr më pak se 50% të pikëve. Provimi i shtetit cilësohet i kryer me sukses, nëse në provim kandidati është vlerësuar së paku me notën 5 (kalueshëm). Kandidati i vlerësuar me notën 4 (jokalueshëm) përsërit provimin. Nëse një kandidat nuk paraqitet në provim ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer. Në këto raste kandidatit i mbahet tarifa e paguar. Tërheqja nga provimi i shtetit nuk mund të kryhet pas hyrjes në sallën e provimit.