Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti dje në takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku u diskutua mbi masat e marra nga Aleanca dhe punën në vijim për një përshtatje sa më të mirë ndaj rreziqeve të sigurisë në një rreze prej 360°. Ministri Bushati theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së politikës së dyerve të hapura për rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe nevojën për një ndërveprim substancial të institucionalizuar të Aleancës me Kosovën. Sekretari Stoltenberg, nga ana e tij, vlerësoi rolin e Shqipërisë në forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributin e vendit tonë në operacionet e NATO-s në Afganistan, Gjeorgji, Ukrainë, KFOR në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, etj. Në kuadër të masave të marra nga Shqipëria në përmbushje të angazhimeve të Samitit të Uellsit, Ministri Bushati u shpreh se «qeveria po ndërmerr hapa për të përforcuar kapacitetet e mbrojtjes, duke frenuar rënien e buxhetit dhe duke siguruar një rritje të ndjeshme të tij për vitin 2016». Angazhimet e NATO-s në luftën kundër terrorizmit dhe roli i Shqipërisë në Koalicionin Global kundër ISIL-it ishin një pikë tjetër diskutimi. Ministri Bushati dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg u ndalën gjithashtu tek rëndësia e forcimit të Aleancës dhe thellimit të bashkëpunimit të NATO-s me vende partnere dhe organizata të tjera ndërkombëtare, në rrugën drejt Samitit të Varshavës.