Fragment nga “Bisedë në “Hylli i Dritës”
Hylli i Dritës – Akuzoheni se keni shkrue dhe folë kundër At Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit dhe, në përgjithësi, se keni qenë kundër letërsisë dhe vlerave shpirtnore katolike-gege. Çka mundeni me thanë për këtë gja dhe si e vlerësoni kontributin e elementit katolik në emancipimin e kombit shqiptar?
Ismail Kadare – Po e nis me pjesën e dytë të pyetjes suaj, atë që lidhet me kinse qëndrimin tim mohues ndaj vlerave shpirtërore katolike-gege. Më lejoni t’ju them se kjo nuk është veçse një sajesë e neveritshme. Në këtë rast, më fort se vetë shpifja, më ka habitur zelli me të cilin një pjesë e katolikëve shqiptarë e kanë përqafuar atë. Del pyetja, përse? Më saktë: përse iu është dukur me interes një gjë e tillë? Normalisht duhej të ndodhte e kundërta. A nuk u ka shkuar ndër mend se, duke i shtuar katolicizmit shqiptar një armik të paqenë, kanë bërë lojën e komunistëve më të skajshëm? Sepse veç ata ishin të interesuar që katolicizmi shqiptar të kishte sa më shumë kundërshtarë, e aq më tepër një shkrimtar të njohur. Ka ardhur ky keqkuptim i rëndë nga padija? Për një pakicë po, por për shumë të tjerë kurrsesi. Këta të tjerët e kanë ditur mirë që akuza është krejtësisht e pavërtetë. Mjafton leximi, qoftë dhe i pjesshëm, i veprës sime për ta kuptuar këtë. Nderimi im për krishterimin shqiptar, e sidomos për atë katolik, e ka zanafillën jo në frymëzimin fetar, por në nderimin tim për letërsinë shqipe dhe atë europiane, rrënjët e të cilave ishin të pandara nga qytetërimi i krishterë. Por, edhe pa e lexuar veprën time, do të mjaftonte biseda aq shumë e përfolur me ish-presidentin komunist, Ramiz Alia, në lidhje me fenë katolike, bisedë që u bë shkas për aq shumë spekulime për kinse antimyslimanizmin tim, në favor të katolicizmit, që kjo sajesë të binte. Unë u gjenda kështu në një skajim paradoksal: nga të dyja anët, nga katolikët dhe myslimanët, u shpalla si kundërshtar i secilës fe, me gjasë në dobi të tjetrës! Nuk dua të zgjatem lidhur me suksesin e shpifjes te katolikët. Dua vetëm të përsëris se disa prej tyre kanë qenë mjaft të lexuar, për ta ditur të vërtetën. Le ta gjejnë në ndërgjegjen e tyre shkakun. Lidhur me të vërtetën se ç’kam menduar për vlerat katolike-gege, do të mjaftonte romani im “Ura me tri harqe”, botuar më 1976, në kohën më të zezë, në mesnatën e diktaturës. Ky roman, i përkthyer qysh në atë kohë në gjithë Europën e në SHBA, dëshmon qartë çfarë kam menduar dhe, kryesorja, çfarë kam shpallur publikisht lidhur me qytetërimin katolik në Shqipëri. Ky roman është rrëfimi i gjatë i një murgu katolik, që flet si zëdhënës i krejt kombit shqiptar. Të mendosh që vepra u botua në kohën kur feja, e sidomos feja katolike, ishte e ndaluar dhe e persekutuar në Shqipëri, mendoj se s’ka nevojë për koment. Lidhur me At Gjergj Fishtën, do të thosha, së pari, se po abuzohet me të në mënyrë të palejueshme. Pyetja për poetin bëhet shpeshherë jashtë çdo kriteri të diskutimit intelektual. Ajo bëhet në mënyrë provokative dhe kundër çdo parimi të etikës. Askund në botën e qytetëruar nuk i kërkohet llogari askujt përse nuk e ka pëlqyer ose përse e ka kritikuar një shkrimtar. Të vijmë tek At Gjergj Fishta. Ka shumë rrahagjoksa sot që, ndërsa bëjnë be e rrufe për Fishtën, nuk kanë guxuar as t’ia përmendin emrin gjatë diktaturës. Natyrisht, nuk mund të fajësohen për këtë. Fishta ka qenë i ndaluar, madje më i mallkuari ndër të ndaluarit. Ndalimi i Fishtës ishte i rrokakrejtshëm (total). Kërkohej me këmbëngulje që as emri mos t’i përmendej. Më i keqi ndër ndalimet ishte pikërisht ky, kur poeti konsiderohej i paqenë. Rrahagjoksat iu bindën ndalimit. Në një pikëpamje duken të pafajshëm, por ka një çast kur mëkati shfaqet. Disa nga rrahagjoksat pranuan të shkruanin studime e sprova për letërsinë e fillimit të shekullit, sidomos vitet njëzet e tridhjetë, duke iu bindur verdiktit: Fishtës të mos i përmendej emri, të quhej i paqenë. Dikush mund të pyeste: ç’duhej të bënin? Përgjigjja është e thjeshtë: të shmangnin shkrimet për atë periudhë, kur ai zinte vendin e parë në letërsi.
Në këtë pikë, mendimi im ndahej nga ai i rrahagjoksave. Mendoja se heshtja totale, fshirja nga kujtesa e shkrimtarëve të ndaluar, ishte ndalimi më i keq, ishte pikërisht dëshira e vërtetë, qëllimi final i diktaturës. Ndaj kam kërkuar një zgjidhje tjetër, që e mendoja më të favorshme për shkrimtarët e dënuar e, natyrisht, për të vërtetën. Ideja ime ishte: të përmendeshin ata, me çdo kusht, qoftë edhe duke i përcjellë me kritika të rrepta. Ç’kritika mund të përdoreshin si taksë për përmendjen e emrit? Ishin pak a shumë dy modele: njëri tepër i skajshëm, si për shembull, kriminel, hienë e zezë, spiun i fashizmit, shërbëtor i pushtuesve etj. Të tilla unë nuk kam përdorur kurrë. Modeli i dytë, më i moderuar: reaksionar, konservator, patriarkal, primitiv, nacionalist, folklorist, shovinist etj. Kam pasur idenë, i bindur se kisha të drejtë, të përdor ato kritika, për të cilat Fishta mund të kritikohej vërtet. Që Fishta ishte konservator, reaksionar dhe nacionalist, madje shovinist, për të mos përmendur folklorizmin e patriarkalizmin, e kisha shumë lehtë ta besoja. Madje, falë dy shkollave të larta, njohjes së letërsisë botërore dhe snobizmit rinor, disa nga këto cilësime s’më dukeshin ndonjë e keqe e madhe. Nuk do të guxoja të shtoja këtu se qëllonte që më dukeshin lavdërime, sikur të mos kisha një dëshmi që e vërteton këtë: Në botimin e librit tim të parë në Moskë, që u përgatit kur isha student atje, pranova si kusht për botim që, përkthyesi im, David Samoilov, të shkruante në parathënie se kisha ndikime të modernizmit e dekadentizmit borgjez. Kjo kritikë, jo vetëm që s’m’u duk e keqe, por më dha njëfarë kënaqësie. Akuzat ose lavdërimet në botën komuniste shpesh bënin efekt të kundërt. Ato përdoreshin shpesh kundër shkrimtarëve të kohës, atyre që quheshin shkrimtarë të epokës së partisë. Një pjesë të epiteteve që përmenda më lart, madje të pasuruara me të tjera, si vepër kundër partisë, kundër socializmit, kundër popullit, jo vetëm janë përdorur kundër meje, por unë vetë, në një autokritikë të botuar tashmë, i kam thënë kundër vetes.
U zgjata në këtë pikë, ngaqë kjo intervistë botohet në “Hylli i Dritës”, e pandarë nga emri i Fishtës. Siç e thashë në krye, ka një abuzim të madh me të. Është krijuar një mashtrim, që ka lidhje me një nga dukuritë më dinake të komunizmit: atë që quhet transferim i krimit. Diktatura dhe shërbëtorët e saj postdiktatorialë përpiqen të heqin nga supet e tyre barrën e turpit, për ta zbrazur mbi të tjerët. Shkrimtarët shqiptarë kanë përgjegjësinë e tyre për çoroditjen e letërsisë shqipe, por s’janë ata në zanafillë të krimeve të mëdha diktatoriale, tmerret dhe gjëmat e zeza, duke përfshirë këtu edhe ndalimin e Fishtës, të Koliqit e të tjerëve. Fabrika e ndryshkur e pasdiktaturës vazhdon të prodhojë mashtrime nga më monstruozet. Një prej tyre, që e dëgjova në një mbledhje publike me shqiptarët e Amerikës, e shpjegonte ndalimin e Fishtës si rrjedhojë e vendimit të një komisioni prej tre vetash, të përbërë nga Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe Ismail Kadare. Ishte e lehtë për mua t’i jepja përgjigje këtij mashtrimi: kur Fishta dhe gjithë të tjerët u ndaluan, unë isha nëntë vjeç. Gjithë salla qeshi dhe unë bashkë me ta. Por nuk ishte për të qeshur. Fara që la pas ai regjim, vezët e gjarprit vazhdojnë të helmojnë atmosferën. Thelbi i mashtrimit është llogaritur në mënyrë djallëzore. Sipas tij, krimet nuk i ka bërë kupola komuniste, por tjetërkush. Në qoftë se përfytyrohet një komision ndalimi për Fishtën, me dy zyrtarë të lartë dhe një shkrimtar, natyrisht që faji për ndalimin, në radhë të parë i bie shkrimtarit. Rasti e solli që shkrimtari i akuzuar ua kujtoi dëgjuesve se ishte në atë kohë nëntë vjeç, por sa raste të tjera ka kur nuk gjendet kurrkush për të sqaruar të vërtetën dhe kështu gënjeshtra ngadhënjen? Dhe njerëzit mund të thonë: i gjori shoku Ramiz dhe e gjortha shoqja Nexhmije, ku ta dinin si ishte puna e Fishtës? Ishte ai, krimineli i madh I. K., që i ka bërë të gjitha, madje dhe të gjorthin shokun Enver, I. K. e ka nxitur të bëjë krime! (Kjo e fundit, sado fantaziste të duket, është thënë në shtypin gjerman pikërisht nga kinse disidenti që përmendni ju, në krye të kësaj interviste: në Shqipëri ka pasur jo një, por dy diktatorë, E. Hoxha dhe I. Kadare, madje ky i dyti ishte më i keqi!) Meqë ra fjala, ky kinse disident dhe ish-oficer i Sigurimit, ndërsa është shfaqur si ithtar i Fishtës, në të njëjtën kohë, pasi është deklaruar turk, s’ka lënë sharje pa thënë kundër Skënderbeut. Fishta do të dridhej në varr (nëse do ta kishte), po të merrte vesh se një tip i tillë, pasi lavdëron Gjergj Fishtën, e hedh në baltë Gjergjin tjetër, atë të Kastriotëve, duke e quajtur hajdut kuajsh dhe agjent të italianëve!
Në Shqipëri mbrapshtitë nuk kanë fund.
- D. – Tashti, pas kaq kohe reflektimi, cili asht mendimi juej për Fishtën dhe vendin e tij në letërsinë shqipe?
- K. – Ndërsa për vlerat e katolicizmit shqiptar nuk kam pasur ndonjëherë moskuptim (më 1959, kur isha student në Moskë, romanin tim të parë “Qyteti pa reklama” e kam nisur me frazën e parë të “Mesharit” të Gjon Buzukut), nuk mund të them se kjo ka ndodhur me Fishtën. Gjykimi im i padrejtë për të, mendoj se nuk ka lidhje me komunizmin. Ka gjasë se edhe në një rend tjetër do të kisha, ndoshta, të njëjtin moskuptim. Moskuptimi ka qenë, me sa duket, fryt i një mode pothuajse botërore, në fillim të viteve gjashtëdhjetë, kur letërsia klasike, e sidomos shkrimtarët e cilësuar kombëtarë, pësuan një nga sulmet e radhës, prej brezit të ri. Student i letërsisë, në një mjedis disi liberal, fill pas dënimit të krimeve të Stalinit në Moskë, jam gjendur midis kësaj mode, si rrjedhojë e së cilës, për një pjesë të letërsisë botërore e, natyrisht, të letërsisë shqipe, për Naimin, Fishtën, Çajupin e të tjerë, kam pasur ftohtësi dhe paragjykime, sidomos për veprat që quheshin monumentale, si “Histori e Skënderbeut” dhe “Lahuta e Malcisë”. Duhej të kalonte shumë kohë për të kuptuar se vlerësimi im për ta ka qenë i gabuar. Kam kuptuar, ndër të tjera, se vlerësimi për ata që pranohen, me të drejtë, si “poetë kombëtarë”, nuk kalon nëpër të njëjtat kritere profesionale, si për të tjerët. Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta kanë qenë dhe mbeten dy poetët kombëtarë të Shqipërisë, të vetmit, të fundmit dhe të papërsëritshmit. Poeti kombëtar nuk është e thënë të ketë atë stërhollim artistik, atë përkryerje apo magji të epërme që ka shpesh arti luksoz dhe elitar. Poetët kombëtarë, për arsye që dihen, e kanë flijuar shpesh artin e tyre në një tjetër altar. Ndërkaq, ata krijojnë me kombet e tyre një raport të habitshëm, gati-gati misterioz, një njëjtësim me peizazhin historik e shpirtëror, të tillë që, duke u bërë njësh me atë të kombit, arrin disa herë ta dyzojë atë. Nëse shpesh ata qëllojnë që nuk janë shkrimtarët më të parapëlqyer e më të lexuar, ata janë, pa dyshim, më të domosdo-shmit. Të tillë na ngjajnë sidomos në kohë të vështira, kur kombi ligështohet dhe katastrofat shfaqen në horizont. Kam bindjen se, në kohën që jetojmë, në këtë fillim problematik të shekullit XXI, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta janë përsëri më të nevojshëm se kurrë.
(Marrë nga Kadare, Vepra XX, Onufri, Tiranë 2009)