Shënim i redaksisë/Për një “polemikë të papritur”

0
168

sttt

Një polemikë “e papritur” dhe jo e zakonshme ka shpërthyer këto ditë, pas një shkrimi të gazetarit Nebil Çika në gazetën “Standard” për ambasadorin gjerman në Tiranë, Hofman. Shkrimi i Çikës, i cili nuk është pjesë e stafit të gazetës, ka mbëritur në redaksi si një opinion i atij vetë mbi përshtypjen që i kishte lënë qënia e ambasadorit mes njerëzve në momentet e djegies së bunkerit pranë Ministrisë së Brendshme. Shkrimi në fjalë për hir të së vërtetës, ishte i mbushur plot elozhe dhe superlativa për zotin Hofman, i cili tashmë dihet është mjaft aktiv përsa i përket kontributit për ruajtjen dhe korigjimin e kolonave të demokracisë sonë të brishtë. Ne vendosëm ta botojmë, ashtu si bëjmë me dhjetra opinione të tjera që nuk shkelin etikën. Të tjerat, “meritat” apo “përgënjeshtrimet” i takojnë artikullshkruesit. Ky është një standard i vjetër sa edhe vetë mediat që dalin në print. Por edhe nëse do të kishte këndvështrim kritik, si letra e sotme e Nebil Çikës, sërisht do ta botonim. Thamë më lartë polemikë “e papritur” sepse ashtu si shkruan vetë ambasadori, ai deri tani në rapor me mediat shqiptare kishte zgjedhur parimin “të mos reagojë ndaj keqinterepretimeve”, por edhe sepse na duhen më shumë se kurrë mendimet troç. Për ne bëri shumë mirë, sepse pikërisht të vërtetat përtej petkut diplomatik na duhen në këto kohë jo të mira për vendin, më shumë se çdo gjë tjetër. Faktikisht ambasadori nuk ka përgënjeshtruar gazetën “Standard” dhe kjo është besojmë edhe arësyeja që sqarimi i tij nuk u adresua posaçërisht për ne. Në këtë këndvështrim, ky shënim redaksional duket i panevojshëm. Gjithsesi e ka një shtysë. Ajo është për tu kujtuar edhe njëherë lexuesve tanë, se shkrimet nën logon “Opinion/Koment” që janë të firmosura nga autorë me emër të përveçëm, jo pseudonime, përfaqësojnë mendimin e autorit dhe vetëm të autorit. Nëse ato ngjallin kundërshti, mospajtim, pse jo edhe nevojë për përgënjeshtrim, ne si gjithmonë jemi të hapur tu japim të njëjtën mundësi botimi. Kaq e thjeshtë është.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency