Martin Atkinson është në listën e 18 gjyqtarëve që do të drejtojnë 51 ndeshjet e Euro 2016 në Francë. UEFA bëri të ditur emrat e gjyqtarëve që do të mbajnë drejtësi në përballjet e Europianit francez dhe lista 18 emërore kryesohet pikërisht nga anglezi, emri i të cilit ngjall kujtime të pakëndshme për gjithë shqiptarët. Ishte pikërisht Atkinson gjyqtari që drejtoi ndeshjen e 14 tetorit Serbi-Shqipëri në Beograd e cila u ndërpre në 41’ dhe qëndrimet kontradiktore të arbitrit anglez mbi momentin e ndërprerjes së ndeshjes dhe qëndrimin e palës shqiptare për të refuzuar kthimin në fushë sipas tij, kushtëzuan edhe një betejë të gjatë ligjore ku Shqipëria arriti më në fund të fitonte drejtësinë e munguar vetëm në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.Gjithsesi pavarësisht atij precedenti, për UEFA-n që nuk i dha asnjëherë të drejtë Shqiëprisë, Atkinson mbetet një ndër arbitrat më të vlerësuar.Këtë e tregon përfshirja në ekipin e arbitrave kryesorë të Francë 2016. Teorikisht në këtë mënyrë ekzistojnë gjasat që Shqipëria të përballet sërish me Atkinson në europianin francez