Zaganjori: Reforma duhet të ishte më gjithëpërfshirëse

0
190

xhezair-zaganjori1

 

Ashtu si kryeprokurori Llalla, edhe kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, u rreshtua në krahun e kundërt me vlerësimet e përgjithshme që hedhin akuza për sistemin e drejtësisë.  Zaganjori bëri thirrje që reforma të mos jetë eksperiment me sistemin tonë. “Procesi i reformës duhej të ishte më gjithëpërfshirës dhe besimi i tij në të gjitha nivelet e gjyqësorit duhej të ishte më i madh. Apeli jonë drejtuar institucioneve shtetërore dhe strukturave të ngarkuara me hartimin e reformës është se ne kemi nevojë dhe jemi të interesuar për hartimin e një kuadri kushtetues, ligjor dhe institucional funksionues që inkorporon standardet ndërkombëtare në drejtësi dhe adapton modele dhe sisteme që kanë treguar se janë me të vërtetë efektive dhe të suksesshme. Nuk duhet që në kushtet e presionit të momentit të eksperimentojmë modele të reja dhe të paprovuara në praktikë nga shtete të tjera. Përpjekjet dhe kontributet tona në reformën në drejtësi duhet të fokusohen në përcaktimin e një kornize ligjore dhe kushtetuese të thjeshtë të qartë, funksionale dhe të dobishme”, – u shpreh ai. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në kuadër të reformës kërkoi kontributin e gjyqtarëve në krijimin e një sistemi funksional në drejtësi. “Jemi duke ecur me gomë rezervë. Hera e tretë që po kërkojmë procesin e rivlerësimit të gjykatësve. Nga kjo pikëpamje na duhet të kemi një sistem që të garantojë funksionalitet, sepse një sistem i mirë e nxjerr vetë korrupsionin jashtë”, – tha ai.