Jo rrallë herë banorë të zonave të ndyshme në kryeqytet janë ankuar për qentë endacakë, të cilët janë jo vetëm burim infeksioni, por dhe sulmi kundrejt tyre. Madje janë shënuar dhe raste kur qytetarët janë dërguar në spital si pasojë e sulmeve të qenëve të rrugës, por s’kanë munguar as rastet kur njerëzit kanë sulmuar qentë. E në këto kushte kur mendohet se në kryeqytet qen endacakë ka rreth 10 mijë, Bashkia e Tiranës ka vendosur ti japë zgjidhje njëherë e mirë këtij problem për të mirë të të gjitha palëve. Sipas Mad, zgjidhja është që në bashkëpunim me klinikën e veterinarisë të Universitetit Bujqësor të bëhet sterilizimin dhe vaksinimin i qenëve endacakë. Kjo masë sipas bashkisë është një zgjidhje e qëndrueshme dhe humane me qëllim uljen e numrit të qenve të rrugës, pa përdorur dhunë ndaj tyre.