Intervista online e ambasadorit të SHBA-së me qytetarët/Lu: Politikanët e inkriminuar të hiqen, ministrat e ish-ministrat të mbajnë përgjegjësi për krimet e tyre

0
148

pyete Lu

 

“Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet të pushohen nga puna dhe të ndiqen penalisht. Politikanët e inkriminuar duhet të hiqen nga liderët e partive politike, nga Parlamenti”

 

Ambasadori amerikan Donald Lu fton shqiptarët për të biseduar drejtpërdrejt dhe për të ndarë mendimet se çfarë mund të bëhet këtu në Shqipëri për të luftuar korrupsionin. Komunikimi online nisi orën 15:30 me këtë mesazh: “Ju mund të mos e besoni, por unë kam shumë shpresë se gjërat po ndryshojnë në lidhje me korrupsionin në Shqipëri. Njerëzit në Shqipëri janë të lodhur dhe duan të shohin ndryshime – nga dekriminalizimi i Parlamentit deri tek reforma gjyqësore, tek transparenca financiare e partive politike për të parandaluar blerjen e votave”. Ambasadori nënvizoi se ndryshimi i Shqipërisë do të fillojë me ligje te reja për dekriminalizimin, Zyrën Kombëtare te Hetimeve dhe reformën e gjyqësorit, por vetëm ligjet nuk do të ndryshojnë Shqipërinë.

 

Intervista online me pyetje-përgjigjet

 

Zoti Ambasador, Amerika ka sjellë demokracinë në shumë vende të botës. Përse këtu në Shqipëri Amerika është indiferente?

Shtetet e Bashkuara sigurisht promovojnë demokracinë duke zhvilluar OJQ-të, partitë politike dhe mediat. Ne gjithashtu inkurajojmë vendet për t’u marrë seriozisht me korrupsionin e nivelit të lartë. Në Shqipëri, ne kemi punuar me të dyja palët, qeverinë dhe opozitën, për të hequr anëtarët e parlamentit dhe kandidatët për kryetarë të komunave apo bashkive me rekorde në arrestime dhe dënime penale. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit do të rezultojë në largimin e shumë prej këtyre politikanëve me precedentë penalë.

I nderuar Ambasador, ju po flisni me emra konkretë dhe po konstatoni realitetin e hidhur shqiptar, por pyetja ime është se si mund të shkojmë nga konstatimi te veprimi.

Ndryshimi i Shqipërisë do të fillojë me ligje te reja – për dekriminalizimin, Zyrën Kombëtare të Hetimeve dhe reformën e gjyqësorit. Por vetëm ligjet nuk do të ndryshojnë Shqipërinë. Implementimi është puna e vështirë. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet të pushohen nga puna dhe të ndiqen penalisht. Politikanët e inkriminuar duhet të hiqen nga liderët e partive politike, nga Parlamenti dhe nga pozicionet lokale. Ministra të korruptuar, të mëparshëm dhe të tanishëm, duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre. Populli shqiptar duhet të kërkojë që kjo të ndodhë.

Zoti Ambasador,kur do të ketë drejtësi vendi ynë? Prokuroria, gjykata e korruptuar, shëndetësia nuk funksionon, arsimi i dobët, administrata jashtë funksionit, hipoteka e korruptuar, çdo institucion shtetëror është i korruptuar, gangrenë e shoqërisë shqiptare…

Unë shpresoj që në vitin 2016, ju dhe çdo qytetar tjetër shqiptar, do të shihni zbatimin e reformës në drejtësi dhe nisjen e ndryshimeve të vërteta. Do të duhet kohë për të larguar të gjithë gjykatësit, prokurorët dhe zyrtarët e korruptuar, por ndikimi shtrëngues i reformës kryesore do të nisë menjëherë. Menjëherë ju do të shihni gjykatës, prokurorë dhe zyrtarë që do të kenë frikë nga pasojat e marrjes së ryshfetit. Unë shpresoj që ky ndryshim të vijë shumë shpejt.

A mund ta shkulin pemën e korrupsionit ata që e mbollën? Kjo pemë për ta sjell pushtet fuqi pasuri në kurriz të shqiptarëve te ndershëm.

Korrupsioni nuk ka nevojë të luftohet nga ata që e krijuan atë. Korrupsioni duhet të luftohet nga njerëz normalë. Njerëz normalë që votojnë. Njerëz normalë që punojnë në biznes, në qeveri apo në shkolla. Njerëz normalë që punojnë në OJQ, universitete dhe media. Mos i lejoni politikanët të kontrollojnë nismën antikorrupsion!

  1. Ambasador, problemi më i madh në Shqipëri nuk janë 4-5 politikanë që, pasi u bënë të pasur me drogë dhe prostituta më pas hynë në politikë, pasi kaq i gjejmë dhe në Amerikë, por janë pothuajse e gjithë pjesa tjetër e tyre dhe gjykatës e prokurorë, që, sipas të madhit Gjergj Fishta, i hynë politikës “pa brekë” dhe të nesërmen u gdhinë miliarderë…

Unë mbajta një fjalim të shkurtër dje, në Konferencën Kombëtare Gjyqësore. U mundova ta ndaja fjalimin tim në dy mesazhe – një për pjesën më të vogël të gjykatësve, të cilët janë jashtëzakonisht të korruptuar, dhe një mesazh për pjesën më të madhe të tyre, të cilët e kryejnë punën e tyre me ndershmëri dhe nuk kërkojnë ryshfet. Jam dakord me ju, gjendja me gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë është e patolerueshme. Unë shpresoj se ju do të punoni për të mbështetur reformat që piketojnë dhe largojnë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Kjo gjë është kritike për të ardhmen e këtij vendi.

Kur do të kemi drejtësinë reale dhe të pavarur në Shqipëri? Korrupsioni luftohet vetëm me ndëshkim dhe këtë e bëjnë vetëm prokurorët dhe gjykatat e pavarura.

Institucionet e pavarura janë jetike për balancimin e pushtetit në çdo qeveri. Në të njëjtën kohë, gjykatësit dhe prokurorët duhet të japin llogari për krimet që mund të kryejnë apo për çdo lloj abuzimi me pushtetin e tyre. Zgjidhja që është përfshirë në reformën aktuale në drejtësi është ngritja e këshillave gjyqësorë dhe të prokurorisë, të përbërë nga anëtarë të shoqërisë civile dhe me shumicën gjykatës e prokurorë, të cilët do të propozojnë, promovojnë apo largojnë gjykatës dhe prokurorë. Ky është një ekuilibër shumë delikat.

  1. Ambasador, je njeri i shkëlqyeshëm, më pëlqen jashtë zakonisht ndërhyrjet e tua në politiken shqiptare, je shumë origjinal dhe i pakursyer.

Ne jemi të kujdesshëm dhe nuk përmendim emra, përveçse në rastet kur jemi të sigurt mbi aktivitetin kriminal apo dënimet e tyre. Ne e marrim seriozisht respektin që kanë shqiptarët për qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë të sillemi me përgjegjësi dhe pa kursyer askënd.

Korrupsioni në Shqipëri është problem i kthyer tashme në “normale” dhe përshtypje bëjnë vetëm ata që nuk i nënshtrohen këtij normaliteti dhe rrjedhimisht duke “rënë në sy” nxirren jashtë nga ky sistem. Pyetja ime është: A mundeni ju të nxisni dhe përkrahni njerëzit që nuk nënshtrohen politikisht në mënyrë që ata minimalisht të krijojnë “polin e tretë”? Për mua korrupsioni fillon që në rekrutimin e pashmangshëm politik të profesionistëve në të gjitha fushat a ndani ju të njëjtin mendim?

Kjo është një ide interesante, që të ketë një parti politike antikorrupsion. Unë mendoj se është puna e çdo opozite për të kritikuar qeverinë, kur ata kanë prova të korrupsionit. Në kushtet e një partie të veçantë te përqendruar në antikorrupsionin, mendimi im është se partitë politike duhet të jenë në favor të diçkaje, jo vetëm kundër diçkaje. Sa për rekrutimin e njerëzve me prejardhje të ndryshme, unë besoj se nëse do të kishim më shumë njerëz të përditshëm në politikë (mësues, shoferë taksie, punëtorë të fabrikave, etj.) ne do të kishim më pak korrupsion në politikë. Unë jam në favor të rekrutimit të udhëheqësve nga njerëz nga të gjitha fushat.