Kryeministri Rama ishte sot në Kamëz ku shpërndau certifikata legalizimi për disa banorë atje. Një ndër këto certifikata pronësie ishte edhe për një të afërm të kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.
Certifikata e pronësisë ishte për Vesel Murat Mziun, por e mori nipi i tij. Në momentin që u thirr emri i Mziut në sallë pati edhe ovacione. Kjo e shtyu kryeministrin të shkëmbente batuta me të riun.
Batutat
Rama:S’po të pyes se çfarë e ke atë mikun tim…por s’po të pyes as se kur e ke bo aplikimin, se do ta ketë bo baba…
Djali:Po (qesh).
Rama: Atëherë boji të fala babës
Djali: Të fala paç!
Rama:…dhe thuaji që legalizimin e ke nga Edi Rama!
Djali: Faleminderit!
Rama-personit me aftësi të kufizuar: Merr motorin tani dhe drejt e në protestë
Protesta e nesërme e parashikuar nga opozita për t’u mbajtur para Parlamentit nuk mund të mos përmendej nga kryeministri Rama, gjatë një aktiviteti që zhvilloi sot për shpërndarjen e disa lejeve të legalizimit në Kamëz.
Ndërsa po i jepte lejen e legalizimit të shtëpisë një qytetari me aftësi të kufizuar, kryeministri Rama ka bërë një batutë me të, duke i aluduar se “meqë nesër do shkonte në protestë, do ishte mirë mos ta linte motori i karrocës”.
Batutat me qytetarin
Rama: S’po të pyes për kë ke votuar, se dukesh. Merre lejen tani, edhe nesër te protesta, para Parlamentit. Do zoti nuk të le motori.
Qytetari: Faleminderit, do uroja që edhe të tjerët të merrnin lejen.
Rama:Ça do tjetër?
Qytetari:Ça të duash ti?
Rama:Po he çfarë do?
Qytetari: Kam aplikuar tre katër herë, që në kohën tuaj, por asgjë. Kemi çuar letrat atje, po na i kthejnë për një shkronjë gabim, e ne që paguanim çdo herë sa herë aplikonim. Po jua kemi falur, siç na i keni falur ju.
Rama:Foli çik si miza në qyp ky, por na tha se ‘nuk na i dhanë lejet atëherë se kishin punë shumë, por edhe ju na lodhet shumë, se na çuat edhe te noteri’. S’dashkan noter. Noteri duhet për ty, se nesër vjen një tjetër dhe të thotë kush ta bëri këtë, dhe ti e fakton me dokumentin e noterisë. Ti je në rregull, tani e ke lejen e shpisë. Motorin edhe gati për te Parlamenti
Ndërkohë, Rama ka shkëmbyer edhe disa batuta të tjera me banorët e Kamzës.
“Në 25 vjet Saliu nuk ju dha asnjë letër legalizimi, por ju kënaqi juve duke më sharë mua.
Ka disa nga ju që dëgjoni dhe shihni vetëm me sytë dhe gojën e Saliut”, tha Rama.
“Së shpejti do të keni tension të energjisë elektrike si të gjitha qytetet e tjera dhe nuk do t’iu dridhet poçi në shtëpi siç dridheni ju kur shihni Saliun. Por puna juaj është, nëse ju duket i bukur, lum si ju”, tha Rama.
“Hajde, kush do të shkojë në miting nesër, të vijë njëherë të marri lejen e legalizimit, se nuk shkohet në miting pa shtëpi… ju lanë rrugëve që t’ju mbajnë rrugëve… ju lanë në rrugë që të vazhdoni të luftoni komunizmin”, vijoi më tej kryeministri me humor.
Rama ka shpërndarë 400 leje legalizimi për qytetarët e Kamzës, duke premtuar para tyre se qeveria nuk do të ndalet me kaq.
“Partia Demokratike ju ka parë dhe ju ka trajtuar si dele vetëm për të përfituar votën tuaj në zgjedhje. Për ata, ju nuk kishit fare rëndësi. Ndërsa ne, që nga dita e parë e qeverisjes ju kemi trajtuar të gjithëve njësoj. Në 8 vite, ata bënë 21 mijë legalizime gjithsej në gjithë Shqipërinë, ndër të cilët thuajse 80% ishin për biznese: bare, kafene, hotele, motele, sepse aty ishte dhe ryshfeti më i madh dhe më pak se 20% për banesat e qytetarëve. Me legalizimet e tyre, ata na kanë krijuar neve kosto të mëdha, që i paguajmë të gjithë bashkë në Shqipëri. Ky është një krim i madh ekonomik dhe një padrejtësi e madhe sociale”, është shprehur ndër të tjera Rama.
Më tej, kryeministri ka theksuar se qeveria ende nuk është e kënaqur me sasinë e lejeve të dhëna gjatë këtyre muajve në pushtet të së majtës.
“Në vetëm 18 muaj, qeveria jonë ka dorëzuar 40 mijë leje legalizimi, por nuk jemi aspak të kënaqur me këtë rezultat, sepse nevojat janë për më shumë. Ndërkohë që ne do t’iu japim edhe hipotekën, sepse edhe vajtjen në hipotekë do ta bëjë shteti dhe jo ju. Me këtë sistem, objektivi ynë është që vitin e ardhshëm të legalizojmë 145 mijë shtëpi të tjera. Brenda mandatit tonë duam që të shkojmë brenda kufirit prej 200 mijë legalizimesh dhe për më tepër falas, me shërbimin e shtetit te dera”, përfundoi Rama.