Nga Shkodra/Rama: Ndjesë për dekorimet e torturuesve të Zef Pllumit e Rrepishtit, gëzonin statusin e veteranit

0
124

r

 

Kryeministri nuk ndryshon mendje për bunkerin: Ai s’është bunker, por hyrja simbolike e një muzeu, është çmenduri të thuash ishte i shëmtuar dhe bënë mirë që e prishën

 

Gëzim Saliu

 

Kryeministri Edi Rama reagoi dje për herë të parë për dekorimin e xhelatëve të kohës së komunizmit, duke u kërkuar ndjesë publikë të gjitha familjeve që janë prekur nga dekorimi i torturuesit të Atë Zef Pëllumbit, Sami Repishtit, por edhe të tjerëve. Nga qyteti i Shkodrës në kuadër të turit “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”, Rama tha se qeveria pa dashje është bërë pjesë e kësaj historie të zymtë, pasi, sipas tij, këta persona nuk janë vlerësuar vetëm këtë vit, por kjo gjë ka ndodhur vite me radhë. “E kam përjetuar me trishtim befasinë e lajmit se në 70-vjetorin e çlirimit të vendit tonë, Ministria e Mbrojtjes paska dekoruar, ndër të tjerë, torturuesin e dy shpirtrave të bukur të rezistencës antikomuniste shqiptare; Padër Zef Pllumin, dhe Sami Rrepishtin. Po kam sot detyrimin t’i kërkoj të falur për tronditjen e kuptueshme që i ka sjellë medalja e marrë prej torturuesit të tij. Në këtë kërkesë faljeje për të nderuarin Sami Rrepishti, është brenda ndjesa edhe për këdo tjetër që ka kaluar në duart e torturuesit famëkeq, përfshirë dhe të gjithë familjarët e të afërmit e tyre të lënduar. E kërkoj ndjesën e këtyre njerëzve, po edhe të gjithë të tjerëve që janë ndier keq nga një lajm i tillë, jo pse kam gabuar apo kemi gabuar me dashje. Madje e vërteta është se në kuptimin formal të përgjegjësisë, ne nuk kemi gabuar as pa dashje. Torturuesi famëkeq i Padër Zefit dhe i Profesor Rrepishtit, nuk e ka marrë për herë të parë vjet, përmes medaljes së Ministrisë së Mbrojtjes, shprehjen e mirënjohjes së qeverisë shqiptare si veteran i luftës. E vërteta e hidhur është se Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë vendimin për dhënien e medaljeve, duke iu referuar të ashtuquajturës kategorisë I, jo duke qëmtuar emra të përveçëm. Kjo do të thotë se kategoria I është përcaktuar me ligj e vendime të veçanta kohë më parë”, – u shpreh Rama. Më tej kreu i qeverisë akuzoi paraardhësin e tij Sali Berisha si njeriun që ka bërë ligjin, sipas të cilit, dekorohen edhe persekutorët. “Në vitin 1994, kryeakuzatori dhe kryefalsifikatori i 25 vjetëve të fundit, po me siguri edhe njëri ndër akuzatorët dhe falsifikatorët më të mëdhenj në historinë politike të Shqipërisë, ishte President i Republikës kur dekretoi ligjin nr. 7874, për Statusin e Veteranit të LANÇ-it. Ai është ligji që sot e gjithë ditën përcakton bazën ligjore të statusit të veteranit të LANÇ-it. E pra, zanafilla e faktit të trishtueshëm të medaljes për torturuesin famëkeq të Padër Zefit e të Profesor Rrepishtit, i përket bash asaj periudhe dhe qëndron pikërisht mbi atë bazë ligjore që prej 25 vjetësh ua vesh kundërshtarëve të tij”, – deklaroi Kryeministri, duke theksuar se mazhoranca ka nisur me urgjencë punën për të propozuar ndryshimet përkatëse të ligjit.

 

Për bunkerin

Në fjalën e tij nga qyteti i Shkodrës, Rama foli edhe për bunkerin e djegur nga opozita gjatë protestës së 8 dhjetorit ku u shpreh kundër këtij akti. “Ai nuk është bunker, por hyrja simbolike e një muzeu. Bunkeri tek Ministria e Brendshme është hyrje për tunelin nëntokësor që duam ta bëjmë muze. Është çmenduri të thuash ishte i shëmtuar dhe bënë mirë që e prishën”, – tha Rama.

 

Kreu i grupit të PD-së

Paloka: Rama fajësoi popullin për revoltën kundër dekoratave të xhelatëve, mbrojti bunkerin

 

Partia Demokratike reagoi ndaj deklaratave të Kryeministrit Rama në Shkodër, duke theksuar se ato përbëjnë thjesht fajësime ndaj revoltës qytetare kundër dekorimit të xhelatëve të diktaturës. “Edi Rama e kishte në dorë të hiqte dorë nga dekorimi, t’i anulonte medaljet e tij për persekutorët, por zgjodhi sot t’i qëndrojë deri në fund këtij akti kriminal e provokues. Në vend se të kërkonte falje, ai zgjodhi tamam Shkodrën për të fyer qytetarët duke i quajtur të marrë pse nuk e duan bunkerin, pse janë kundër simbolit të regjimit më të egër komunist të lindjes. Partia Demokratike i bën të ditur Edi Ramës se populli është në këmbë për gjithë perversitetet e tij të përziera me korrupsion e krim, prandaj të mos habitet aspak. Populli nuk është thjesht në këmbë. Populli është ngritur për ta larguar atë, për ta shporrur bashkë me bandën e tij të hajdutëve”,  -tha kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka.