Rama zbardh dokumentin: Vërteton se Berisha e futi Shyqyri Çokun në listën e veteranëve, ka gëzuar prej marsit të vitit 1995 një pension të veçantë
Gëzim Saliu
Ndjesës për dekorimin e persekutorëve të Zef Pllumit dhe Sami Rrepishtit e akuzave se akti u ndërmor mbi bazën e ligjit të miratuar kur Presidenti ishte Sali Berisha në 1994, ish-kryeministri iu përgjigj dje duke i cilësuar qëndrimet e pasardhësit e tij si hipokrizi. Përmes një bashkëbisedimi me gazetarët, Berisha theksoi se dekorimet e xhelatëve të diktaturës nga Kryeministri nuk janë rastësi. “Fund e krye hipokrizi e frikacakut, se është i tmerruar. Nuk i ka ngelur gjë. Edi Rama nuk shpalli se janë anuluar dekoratat. E dëgjuat gjë? Tha një ndjesë e imponuar nga Sali Berisha, nga çfarë firmos certifikatat sepse çdo dekoratë shkon me certifikatë. Ligji konfirmon statusin e pjesëmarrësit në luftë. Statusi i veteranit nuk ka të bëjë me asnjë emër konkret. Ai njeh pjesëmarrjen në luftë të gjithë atij grupi të gjerë, që në fakt u fry dhe u stërfry në mënyrën më monstruoze dhe me mashtrim, saqë sot ju gjeni me status veterani edhe qytetarë që kanë lindur në `48 apo `50. Pra ka të bëjë me pjesëmarrësit në luftë. Ligji rikonfirmon njohjen e statusit për pjesëmarrësit në luftë, ligji nuk jep asnjë dekoratë, nuk njeh asnjë imunitet”, – shpjegoi ai duke kundërshtuar pretendimet e kryeministrit. Më tej ish-kreu i qeverisë theksoi se ka qenë ai që miratoi rezolutën dhe ligjin me të cilin dëno Enver Hoxhën dhe e zhveshi atë nga çdo atribut. “Edi Rama, në mbështetje të xhelatëve të regjimit komunist miratoi ligjin e hapjes së dosjeve, në të cilin asnjërit prej këtyre kriminaleve nuk ju ndalohet ushtrimi i funksioneve më të larta të shtetit përfshirë atë të Kryeministrit apo Presidentit të Republikës”. Në këtë kontekst ish-kryeministri tha se dallimet mes PD-së dhe opozitës me PS-në e drejtuar nga kryesocialisti Rama janë tepër të mëdha. “Edi Rama arriti deri aty se atë dekorojë xhelatët, sepse ka këtë origjinë. Edi Rama arriti deri aty sa të bllokojë çdo përpjekje për t’i nxjerrë nga funksionet publike. Edi Rama arriti deri aty sa të shpërndajë në Facebook-un e tij foto të Hitlerit shqiptar të pasluftës, Enver Hoxhës. Këto janë dallimet thelbësore të qëndrimeve të tij”.
Reagimi i Kryeministrit
Ndërkaq, pas deklaratave të Berishës, Kryeministri Rama publikoi dje në rrjetet sociale listën emërore të personave me status veterani të kategorisë së parë të miratuar nga ish-presidenti Sali Berisha në vitet `94-95, mes të cilëve figuron edhe emri i persekutorit të Atë Zef Pllumit. Shefi i qeverisë tha se Shyqyri Çoku ka gëzuar prej marsit të vitit 1995 një pension të veçantë dhe çdo nderim të bërë nga Ministria e Mbrojtjes. “Ja prova se në vitet 1994 – 1995, Sali Berisha e futi torturuesin e Atë Zef Pllumit dhe Sami Rrepishtit në listën e veteranëve të Kategorisë së Parë. Në bazë të kësaj liste torturuesi në fjalë, të cilin kryeakuzatori kryefalsifikator orvatet ta përdorë për të nxitur urrejtjen e të verbërve që i shkojnë ende pas, ka gëzuar prej marsit të vitit 1995 një pension të veçantë dhe çdo nderim të bërë nga Ministria e Mbrojtjes. E cila, nga ana e vet, nuk ka pasur asnjëherë detyrën të hetojë përbërjen e kësaj liste, ashtu sikundër nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të shtuar ose hequr njeri prej listës”. Sipas Ramës, kjo është edhe arsyeja pse qeveria po përgatit një ndërhyrje në ligjin e vitit 1994 për Statusin e Veteranit, në mënyrë që askush më tej të mos bjerë viktimë e këtij qorrsokaku.