Për administratën dhe sipërmarrjen private/Spiunimi i kolegëve zyrtarizohet me vendim qeverie, zyrë e posaçme në vendin e punës

0
165

 

 

sppZyra e spiunimit ndaj kolegut për akte korruptive do të jetë e detyrueshme për institucionet shtetërore me më shumë se 80 punonjës, ndërsa për sipërmarrjet private bëhet e detyrueshme kur biznesi ka mbi 100 punonjës

 

Gëzim Saliu

 

Tashmë e tutje të gjithë duhet të ruhen në vendin e punës, pasi qeveria ka zyrtarizuar me një vendim të Këshillit të Ministrave spiunimin e kolegëve. Sipas projektligjit të ri “Për mbrojtjen e sinjalizuesve”, parashikohet ngritja e një zyre të posaçme spiunimi si pranë institucioneve shtetërore ashtu edhe në sipërmarrjet private. Ky ligj i qeverisë parashikon ngritjen e dy mekanizmave për denoncimin e korrupsionit, sinjalizimin e brendshëm dhe të jashtëm. “Për qëllim sinjalizimi të brendshëm, parashikohet të ngrihen njësi përgjegjëse në çdo autoritet publik ku ka më shumë se 80 të punësuar dhe pranë çdo subjekti privat ku rezultojnë më shumë se 100 të punësuar. Nga ana tjetër, Inspektorati i Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) është caktuar si organ i sinjalizimit të jashtëm”, – thuhet në projektligj.

 

Projektligji

Sipas projektligjit të qeverisë, spiunimi i kolegëve për të cilët dyshohet se janë të përfshirë në akte korruptive, do të bëhet në zyrën e posaçme që do të jetë e detyrueshme për institucionet shtetërore me më shumë se 80 punonjës. Nga ky detyrim nuk përjashtohen as sipërmarrjet private, por në këtë rast, pajisja me një zyrë spiunimi, bëhet e detyrueshme kur biznesi në fjalë ka mbi 100 punonjës. Denoncimi i kolegëve do të jetë për çdo formë të korrupsionit aktiv dhe pasiv, shpërdorimi i detyrës ose kompetencave, ushtrimi i ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave apo marrjen e vendimeve, shpërdorimi i të ardhurave të buxhetit të shtetit, përfitimi i paligjshëm i interesave, dhënie apo marrje mite, si dhe çdo akt tjetër i ngjashëm. Njësia përgjegjëse apo ILDKPKI do të ketë kapacitetet dhe autoritetin e nevojshëm, përfshirë burime njerëzore të trajnuar në fushën e mbrojtjes së sinjalizuesve, për të mbledhur prova, aksesuar në dokumente që do t’i vinë në ndihmë pikërisht prokurorisë apo policisë dhe do të përmbushë qëllimin e përbashkët për goditjen e korrupsionit. Projektligji ka parashikuar mekanizmat e duhur ligjor për mbrojtjen e punonjësve-sinjalizues të cilët tregojnë integritet të lartë në kontrollin e veprimtarisë shtetërore në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Për këtë qëllim janë sanksionuar masa mbrojtëse për sinjalizuesit çdo veprim hakmarrës që mund të të jenë: shkarkim nga puna; pezullim nga puna ose të një apo më shumë detyrave; transferim brenda apo jashtë organizatës; ulje në detyrë; ulje e pagës dhe/ose shpërblimeve financiare; humbje e statusit dhe privilegjeve; mosngritje në detyrë; heqje e të drejtës për të marrë pjesë në trajnime; vlerësime negative në marrëdhënien e punës; ankimi në gjykatë apo forma të tjera të hakmarrjes në lidhje me punën. Ky drafti që Qeveria i dërgon Parlamentit vjen si propozim i ministrit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, i cili është edhe koordinatori i luftës antikorrupsion, si edhe ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency