Dy agjentë të policisë së shtetit me karta të gazetarëve ishin në mes të protestuesve. Kjo gjë është denoncuar nga Partia Demokratike. Ka qenë kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi i cili konfirmoi këtë rast, duke thënë se këta agjentë qëndronin pas disa gazetarëve të televizioneve.
Në një prononcim për Report TV, Këlliçi reagoi dhe sqaroi rastin pse gazetarët u qëlluan me vezë dhe patate për një moment gjatë protestës së opozitës përpara Parlamenti. Kryetari i FRPD u shpreh se gazetarët nuk kanë qenë shënjestër dhe as nuk ka patur ndonjë synim për t’i qëlluar, por janë kapur aksidentalisht nga vezët. Sipas tij, të rinjtë qëlluan pikërisht dy agjentët e policisë, një vajzë dhe një djalë, që ishin maskuar si gazetarë duke mbajtur karta të gazetarëve dhe kamera të tyre.
Këlliçi shtoi se i njohin shumë mirë këta agjentë policie që ishin infiltruar mes gazetarëve, prandaj turma reagoi në atë mënyrë, dhe nuk ka pasur synim të qëllonte gazetarët, por efektivët civilë të policisë.