“Nëse Rama më zhgënjën, do përdor të njëjtën penë edhe për të”. Kështu do të shprehej në maj të vitit të kaluar shkrimtarja e njohur shqiptare, Elvira Dones. Atëhere ajo shprehej entuziaste për mazhorancën e re dhe kishte shpresë te kryeministri Rama. Por si duket krejt ndryshe mendon sot.
Dones ka shpërndarë një koment në faqen e saj në Facebook, të cilin e shoqëron me një thënie nga Groucho Marx që thotë: “Ai mund të duket si një idiot, por mos e leni t’iu vëjë në lojë. Ai realisht është një idiot”.
Shkrimi i shpërndarë nga Dones ka lidhje me batutën që Rama bëri me një njeri me aftësi të kufizuara në Kamës, teksa po shpërndante leje legalizimi.
“S’po të pyes për kë ke votuar, se dukesh. Merre lejen tani, edhe nesër te protesta, para Parlamentit. Do zoti nuk të le motori”, i ka thënë Rama.
Elvira Dones jeton prej kohësh në Zvicër. Kur u hap gara për postin drejtues të RTSH-së, ajo ishte një prej kandidateve, por më pas u skualifikua. Gjithashtu Dones ka mbështetur publikisht ardhjen e Ramës në pushtet gjatë fushatës së qershorit 2013.