Kriza e cila ka prekur prej muajit gusht stafin teknik të rafinerisë së përpunimit të naftës bruto në Ballsh, ka detyruar punonjësit që ti dërgojnë një letre të hapur Presidentit të Republikës Bujar Nishani, Kryeministrit Edi Rama, Kryetarit të Parlamentit Ilir Meta dhe ministrit të Energjisë Gjiknuri. Të lodhur nga mosmarrja e pagesës rreth një mijë naftëtarë dhe familjet e tyre, kanë kërkuar ndihmë për të tejkaluar krizën që i ka prekur dhe është bërë e papërballueshme.
Në letrën publike, punonjësit shpjegojnë me detaje situatën ku ndodhet aktualisht Rafineria, e vetmja e aftë për të rafinuar naftën bruto të vendit. Mësohet se prej 5 muajsh në uzinën e përpunimit të thellë të naftës ka ndalur puna, si pasojë e mospagesës së punëtorëve, ndërkohë që edhe energjia është shkëputur prej disa ditësh. Stafi teknik thekson përmes letrës së hapur se dëmet e mosvënies në punë të makinerive janë të konsiderueshme. Më shumë se 50 punonjës të administratës që kanë firmosur letrën e hapur, duke paralajmëruar protesta në Fier dhe përshkallëzim të saj deri në Tiranë, në rast se nuk gjendet një zgjidhje nga shteti, i cili është bashkëpronar me 15 % të aksioneve. Kjo Rafineri në sajë të punimeve rimontuese dhe investimeve në teknologji është e aftë të trajtojë deri në 800 000 ton naftë bruto në vit. Ndërkohë stafi teknik ndonëse nuk paguhet, vazhdon të punojë për të siguruar furnizimin me energji elektrike të jugut të Shqipërisë si dhe furnizimin me ujë të pijshëm të Mallakastrës nga N/stacioni elektrik 35/6 kv i instaluar në Pocem.