Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, përshëndeti të premten autorizimin e dhënë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, për shenjtërimin e Nënë Terezës, duke e vlerësuar atë për mrekullinë e saj të dytë. “Ky autorizim për Kongregacionin për Kauzën e Shenjtorëve nuk na lumturon vetëm ne shqiptarëve, por të gjithë botën mbarë, e veçanërisht ata që e kanë ndjerë mrekullinë, mirësinë dhe dashurinë e saj”, – vuri në dukje Kreu i Shtetit Shqiptar. Në pritje të shenjtërimit të Nënë Terezës vitin e ardhshëm, Presidenti Nishani shpreh gjithashtu falënderimet më të ndjera dhe mirënjohjen më të thellë në emër të gjithë shqiptarëve për këtë vendim të rëndësishëm të Papa Françeskut dhe Selisë së Shenjtë. Edhe ish-kryeministri Sali Berisha: “Dekreti i Shenjtërimit të Nënë Terezës, nder dhe mirënjohje! Dekreti për shenjtërimin në vitin 2016 të Nënë Terezës, urimi më i bukur i Papa Franceskut për festat e fundvitit për ne shqiptarët por edhe për Romën e botën!”, – shkruan Sali Berisha për këtë lajm. Ka reaguar gjithashtu edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ka përshëndetur njohjen e mrekullisë së dytë të Nënë Terezës nga Papa Françesku. Në profilin e tij në “Facebook”, Rama shkruan: “Lajm emocionues nga Vatikani: Nënë Terezës i është njohur nga Papa mrekullia e dytë e një shërimi të pamundur që i jep asaj shenjtërimin!”