Opinionet jopërfundimtare, Komisioni miraton draftin paraprak, kritika për krijimin e disa institucioneve të reja: Ja pikëpyetjet për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë
Gëzim Saliu
Komisioni i Venecias miratoi dje draftin paraprak të opinionit për reformën në drejtësi, duke paraqitur një sërë propozimesh dhe shqetësimesh lidhur me amendimet e dërguara nga pala shqiptare. Këto të fundit janë miratuar nga ekspertët vendas dhe të huaj në komisionin e posaçëm parlamentar dhe kanë marrë vetëm miratimin e mazhorancës, ndërsa opozita ka shprehur një sërë kritikash e qëndrimesh të kundërta që i janë përcjellë gjithashtu Venecias. Ndërkohë, në opinionin e tij paraprak, Komisioni mbështet nevojën për reformë në drejtësi, por u lë kohë deri në janar ekspertëve shqiptarë të japin zgjidhje për shqetësimet e ngritura në këtë dokument. Lidhur me shqetësimet, Venecia nuk ka dhënë pëlqimin për krijimin e një sërë institucionesh të reja, që parashikohen në draftin e ekspertëve shqiptarë e të huaj. Komisioni rekomandon uljen e numrit të këtyre institucioneve dhe tërheq vëmendjen për rrezikun e një klime mosbesimi që mund të krijojnë “Këto organe të reja parashikohen të kontrollojnë njëra tjetrën. Por kjo skemë e komplikuar institucionale mund të ketë një pasojë të paqëllimshme: të krijojë një klimë mosbesimi, e cila rrezikon të ndikojë në vlerësimin publik të gjyqësorit, që është mjaft i ulët”, – thekson Komisioni, duke evidentuar edhe një problem me mandatet e organeve ekzistuese dhe atyre të reja që do të ngrihen. “Krijimi i organeve të reja kushtetuese nuk do të përfundojë automatikisht mandatin e organeve ekzistues dhe ka për qëllim reduktimin e lirisë e zgjedhjes së organeve kushtetuese të përfshira në procesin e emërimit. Përbërja e tyre duhet të shqyrtohet më nga afër për të shmangur influencën”. Përveç kësaj, Venecia thekson se krijimi i një numri të madh organesh të reja mund ta ekspozojë vendin përpara nevojës për të rekrutuar në masë profesionistë ligjor, ndërsa juristët e nevojshëm për këtë reformë me arsim dhe përvojën e duhur, nuk janë të mjaftueshëm në një vend të vogël si Shqipëria.
Opinioni
Ndërkaq, Komisioni në opinionin paraprak nuk ka dhënë bekimin për ndërprerjen e mandatit të prokurorit të Përgjithshëm si dhe kërkoi gjetjen e një mekanizmi kundër bllokimit të zgjedhjes së tij. “Emërimi duhet të votohet nga 3/5 e Kuvendit, nuk ka asnjë mekanizëm antibllokimi nëse kjo shumicë nuk arrihet. Mandati i prokurorit të Përgjithshëm nuk duhet domosdoshmërisht të ndërpritet, me hyjnë në fuqi të reformës. Qëndrimi i tij deri në fund të mandatit është i pranueshëm. Duhet gjetur një mekanizëm kundër bllokimit për zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm, ky i fundit nuk duhet të ulet në Tribunalin Disiplinor”, – thuhej në draft. Sa i përket ngritjes së Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë, Venecia çmon se prania e ministrit të Drejtësisë dhe të prokurorit të Përgjithshëm në këtë trupë është problematike, në qoftë se Tribunali është projektuar të jetë një lloj gjykatësi që mbikëqyr organet jogjyqësore. “Ministri i Drejtësisë është anëtar jo me të drejtë vote i Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorëve, dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, prandaj roli i ministrit të Drejtësisë në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor duhet të rikonsiderohet për të shmangur konfliktin e interesit. Ministri i Drejtësisë nuk duhet të ulet në Tribunalin Disiplinor”, – thuhet në opinion. Edhe për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, Venecia ngre pikëpyetje nëse duhet krijuar apo jo, duke pasur parasysh burimet njerëzore dhe financiare të nevojshme për funksionimin e duhur. Në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, Komisioni i Venecias, rekomandon që të qartësohet se kush vendos mbi masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të këtij institucioni. “Do të ishte e mundur për t’i dhënë Gjykatës Kushtetuese, së paku, fuqinë për të verifikuar procedurën në të cilën ndryshimet kushtetuese janë miratuar”. Gjithashtu, Komisioni i Venecias përshëndet fuqizimin e Gjykatës së Lartë, por kërkon që të qartësohet mënyra se si do të shqyrtohen rastet, kur zyrtarët e lartë janë nën akuzë. Ndërkohë, ka pikëpyetje nëse Gjykata do të merret me rastet ku zyrtarët më të lartë të shtetit janë në akuzë.