Hapet terminali i përkohshëm i autobusëve ndërqytetas te ish-Drejtoria e Përgjithshme e Doganave

0
142

 

AUUVVeliaj: Qytetarët të përdorin vetëm transportin e licencuar, mjetet që shkelin ligjin do të gjobiten

Qytetarët e Tiranës që përdorin linjat transportit ndërqytetas për në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme, nga dita e nesërme do të mund të përdorin terminalin e ri në hyrje të qytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte të dielën i pranishëm në terminalin e përkohshëm të autobusëve pranë sheshit “Shqiponja” për të inspektuar ambientin që do të jetë në shërbim të automjeteve për linjat ndërqytetëse. “250 autobusë që çdo ditë bëjnë linjat e jugut dhe Shqipërisë së Mesme, nga sot e tutje nuk do të futen më përmes Tiranës. Kjo do të thotë se 250 nyje trafiku që krijoheshin gjatë ditës, sot janë një zhbllokim për qytetin”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se ky është një terminal i përkohshëm, deri sa të përfundojë investimi në dy terminalet e përhershme, të cilat do të ngrihen në hyrje të qytetit. “Kemi sistemuar këtë terminal të përkohshëm, i cili do të shoqërohet nga nesër në mëngjes me një stacion autobusësh, që do të nisë punën që në 4.30 të mëngjesit, dhe me një stacion taksish për ata që duan të marrin drejtime të ndryshme”, u shpreh Veliaj.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të përdorin vetëm autobusët e licencuar dhe të respektojnë ligjet. Janë të sigurt dhe të lirë. Duke zbritur këtu në sheshin “Shqiponja”, ka një mundësi fantastike që më pas të zgjedhin me transportin e lirë urban që ka Tirana, drejtimin nga do të shkojnë”, tha Veliaj. Ai tha se përmes këtij organizimi krijohet një model i ri i menaxhimit të transportit publik, duke siguruar “shfryrje” të trafikut, qoftë me parkingjet që janë krijuar në Tiranë apo me terminalet e përkohshme të autobusëve.

Në shërbim të disiplinimit të trafikut në Tiranë do të ketë një bashkëpunim midis Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit që do të marrin të gjitha masat për kundërvajtësit. Kryebashkiaku theksoi se nuk do të ketë asnjë tolerancë për mjetet që ngarkohen me pasagjerë jashtë terminalit të ri të autobusëve. “U bëj thirrje të gjithë atyre që deri dje kanë marrë guximin të shkelin ligjin dhe të operojnë të palicencuar, me furgonë apo me mjete të tjera të paligjshme të transportit, që nga nesër do të ketë një patrullë fikse në hyrjen e Tiranës”, tha Veliaj.

Sipas tij, do të penalizohet me gjobë kush nuk ka licencë dhe zë sheshet poshtë pallateve, apo nyjet kryesore të rrugës. “Vetëm ata që respektojnë ligjin do të kenë aleancën e Bashkisë së Tiranës. Kush ndot qytetin, prish trafikun, transporton në mënyrë të paligjshme qytetarë, kush bllokon nyjet e hyrjes dhe daljes në Tiranë, do të përballet me forcën e ligjit nga Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit”, theksoi Veliaj.

Drejtoresha e Agjencisë së Parkingjeve në Bashkinë e Tiranës, Eglantina Zëre, tha se terminali i parë për autobusët ndërqytetës është një fillim i mbarë, duke dhënë mundësi për të vijuar më tej. “Shumë shpejt ne do të krijojmë edhe dy terminale të tjera. Në këtë mënyrë, ne lirojmë trafikun në qytetin e Tiranës dhe u japim një mundësi përdoruesve të autobusit dhe qytetarëve”, u shpreh Zëre.

Drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës, Ermal Kapllani, tha se do të penalizohet kushdo që shkel rregullat e vendosura. “Janë marrë të gjithë masat e duhura, në bashkëpunim edhe me strukturat e Policisë së Shtetit, jo vetëm për të luftuar informalitetin në qytetin e Tiranës, por edhe në drejtime të tjera. Ne do të kërkojmë bashkëpunimin e përfaqësuesve të shoqatave apo edhe çfarëdolloj drejtuesi të autobusëve apo mjeteve të ligjshme, me qëllim që të luftojmë pa kompromis të gjithë informalitetin në qytetin e Tiranës, çka bëhet pengesë edhe për mbarëvajtjen e punës”, deklaroi Kapllani.

Në stacionin tek ish-dogana pranë sheshit “Shqiponja” janë vendosur linjat e Shqipërisë së Mesme e të Jugut, dhe shumë shpejt do të ketë një zgjidhje edhe për linjat e Veriut

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency